MARIGLEN KUME/ Ilir Meta ka thirrur sot në orën 18:00 përpara inceneratorit të Tiranës protestën e parë kundër qeverisë së Kryeministrit Rama pas përfundimit të mandatit të Presidentit dhe ardhjes së tij në krye të Partisë së Lirisë.
Në një intervistë për MCN TV, kryetari i Partisë së Lirisë u shpreh se regjimi i vendosur nga Kryeministri Edi Rama do të rrëzohet me mekanizma të kombinuar duke përfshirë protesta të vazhdueshme dhe zgjedhje. Kreu i PL ka sqaruar edhe marrëdhënien me Partinë Demokratike dhe kryedemokratin Sali Berisha.
“Kjo është një çështje që ne kemi pasur prioritet gjithmonë. Shohim përpjekje për të shmangur vëmendjen nga kjo çështje e madhe. Protesta është e hapur për të gjithë qytetarët. Berisha është kryetar legjitim i PD-së, që është partia kryesore e opozitës sot. Unë jam kryetar i Partisë së Lirisë sot, një parti e përkushtuar për të bërë opozitë kundër Ramës. Ne kemi axhendën tonë si një forcë politike dhe jemi të hapur për të koordinuar me të gjithë partitë e tjera opozitare. Raporti im me z. Berisha është shumë korrekt. Përkushtimi im që nga mbrëmja e 25 korrikut është i pandalshëm. Duhet zgjeruar bashkëpunimi me aktorët e tjerë, por unë e ndiej si një obligim për të energjizuar opozitarizmin me shpejtësi maksimale. Rama çështje javësh nuk është metaforë, por angazhim i vërtetë dhe se sa do ta arrij unë ju e dini shumë mirë. Ky regjim do rrëzohet me protesta dhe me zgjidhje. Do të jenë të kombinuara. Nuk do heqim dorë kurrë nga institucionet. Në Parlament do bëjmë maksimumin aq sa mund të bëjmë. Por lëvizja qytetare është një domosdoshmëri. Nesër në protestë, pastaj do ketë protesta të tjera. E kemi marrë me shumë vendosmëri këtë”, tha Meta.
Ndërkohë ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit Rama duke e krahasuar atë me enë plastike dhe e paralajmëroi se do të jet kurbani i tij politik.
“Mos I jep këtoj atributet e Putinit. Ai është një legen ordiner. Ai është një legend he e dini shumë mirë. Ai do të qajë të vijë ashtu, por nuk vjen më ai. Erdhi si cuni i Netës në politikë dhe do të kthehet si kurban i Ilir Metës. Për këtë erdhi ai në politikë”, u shpreh Meta.
Kryetari i PL ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestë kundër aferës që sipas dokumenteve të publikuara nga Partia e Lirisë, u kushton qytetarëve për një shërbim që nuk e marrin mbi 430 milionë euro. Protesta para inceneratorit të kryeqytetit sot është e para e një serie protestash që janë paralajmëruar nga opozita për këtë vjeshtë. Kryetari i PL-së dhe ai demokrat, Sali Berisha, e kanë pagëzuar këtë vjeshtë si pranverën e protestave kundër abuzimeve të qeverisë. Ndërkohë, kujtojmë që më herët ish-Partia Socialiste për Integrim, aktualisht Partia e Lirisë, kanë depozituar padi penale dhe prova shtesë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Deri tani nga hetimet e SPAK janë shpallur në kërkim pronarët e inceneratorëve dhe është arrestuar ish-ministri i Mjedisit që nisi me procedurën e parë për inceneratorin e Elbasanit dhe deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako.
PËRKUJTIMI I AZEM HAJDARIT
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Ilir Meta zhvilloi homazhe përkujtimore në memorialin e ish-liderit të protestave të dhjetorit, Azem Hajdari. Meta vlerësoi guximin e themeluesit të PD për protesta kundër regjimit ndërsa akuzoi qeverinë se ka rrezikuar demokracinë dhe sistemin e llogaridhënies.
“Ndaj sot ky nderim për Azem Hajdarin për këtë tribun të lëvizjes demokratike ka një rëndësi të madhe sepse si asnjëherë tjetër në këto 32 vite janë vënë në diskutim arritjet e demokracisë, lirisë, të të drejtave të njeriut, por edhe ekzistenca e kombit tonë. Mjafton të shikojmë sot në ditën e parë të shkollës numrin e nxënësve që janë regjistruar për të kuptuar se kemi një kërcënim serioz për ekzistencën e kombit tonë, që vjen nga degradimi i vlerave të demokracisë dhe nga rrëzimi i sistemit të llogaridhënies përmes një grushti shteti me procedura antikushtetuese. Ndaj është shpirti i protestës ai që do rivendosë demokracinë dhe të garantojë që sistemi i llogaridhënës të funksionojë për 200 vitet e ardhshme”, u shpreh Ilir Meta.