Sot mbledhja e dy qeverive në Prishtinë, marrëveshjet që do nënshkruan! Zbardhet axhenda

VALENTINA MADANI/ Në Prishtinë, sot do të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë. Ky takim mes dy qeverive do të drejtohet nga dy Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti, ku do të ketë nënshkrim të disa marrëveshjeve.

Në Prishtinë gjithçka është gati, ndërkohë që sesioni i punimeve pritet të nisë në orën 11:15 dhe në fund të saj, të dy Kryeministrat do të mbajnë një konferencë për shtyp. Çështjet ku palët angazhohen të bashkëpunojnë janë: infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike, projekti i portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë, si dhe porti i thatë në Kosovë. Draft-marrëveshjet që do të firmosen janë gati, pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kërkoi ministrave që deri më 10 qershor të përfundonin çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërshtetërore.
Premtimi

Një ditë përpara mbledhjes së dy qeverive, Kryeministri Rama i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij, pasditen e djeshme shkoi në Burojë të Komunës Skenderaj për vizitë në familjen e ish-Presidentit të Kosovës. Rama u prit nga djali i ish-Presidentit Thaçi, Endriti. Hashim Thaçi ndodhet aktualisht në paraburgimin në Hagë. Më herët, Kryeministri Rama inspektoi punimet në 2 sipërmarrje në Kosovë. Gjatë inspektimit në një fabrikë mielli, Rama dha lajmin se tarifat doganore të Shqipërisë me Kosovën do të hiqen, duke filluar me ato bujqësore.

“Ne kemi bërë një plan dhe do ta vëmë tani në lëvizje, do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale me qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë, ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar. Kështu ne do t’i heqim tarifat për gjithë çfarë do të vijë nga Kosova, përjashto atë të skanimit, se ajo është e trashëguar dhe s’lëviz, por në gjithë pjesën tjetër nuk do të ketë më tarifa për të gjithë ata që do të eksportojnë nga Kosova në Shqipëri. Anasjelltas duhet ta bëjë qeveria e Kosovës, por nëse qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi. Sepse ne nuk duam që ta kemi të hapur pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën, është e pakuptimtë”, u shpreh Rama.