Me ardhjen e shtatorit, kanë nisur dhe angazhimet e ligjvënësve, duke lënë kështu pas pushimet verore. Ditën e sotme, ashtu siç ishte përcaktuar, nis sesioni i ri parlamentar, ndërsa parashikohen përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës të paralajmëruara që në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve.
Ky sesion parlamentar nis fill pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së, të thirrur nga Lulzim Basha dhe pak para Asamblesë Kombëtare të PS-së ku thuhet se do të merren vendime për ndryshime në qeveri. E duke marrë shkas nga situata brenda PD-së, duket se kjo parti ka krijuar 3 grupime, atë të Lulzim Bashës, ish-kryeministrit Berisha në një krah dhe nga ana tjetër grupi i Bardhit.
Në ngjarje që ka shumë gjasa që të sjellë përçarje sot në sallën e Kuvendit është dhe tenderi i sterilizimit, që çoi pas hekurave ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Rjepajn dhe biznesmenin Rrapaj, ndërkohë që akuzat e opozitës kanë qenë të shumta.