Në një kohë krize, kur çmimet rriten çdo ditë e qytetarët gjithmonë e më pak mundin ti përballojnë, kur mijëra familjeve shqiptare iu hiqet ndihma ekonomike, qeveria vijon të bëjë shpenzime luksi.
Operatori i Sistemit të Transmetimit i drejtuar nga Skerdi Drenova shpërdoron paratë publike dhe hap tender për trajtimin estetik të punonjëseve femra të këtij institucioni.
Tenderi që OST ka hapur për trajtimet estetike të femrave të ndërmarrjes kap vlerën e 130 mijë euro. Në kushtet e përgjithshme të kontratës që lidhen me sigurimin e jetës dhe shëndetit dhe aksidenteve në punë, specifikohen edhe trajtimet kozmetike që do të përfitojnë punonjëset.
”Trajtim kozmetik për qëllime të kësaj kontrate nënkupton çdo trajtim mjekësor që kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi dhe shërimi të një gjendje shëndetësore”. Pra, bëhet fjalë për një trajtim ekstra. Me sa duket Skerdi Drenova, kreu i OST-së, i cili drejton një nga institucionet që menaxhon miliona euro kërkon që punonjëset e tij të jenë të kuruara ndonëse vendi ynë po kalon një situatë ekonomike të vështirë.
Përveç kësaj, teksa punonjësit e administratës shtetërore marrin ndihmë mjekësore në shtet kur e kanë të nevojshme, punonjësit e OST do të marrin shërbime ekstra edhe në privat.
Sipas dokumenteve të publikuara në agjensinë e prokurimit publik, tenderi me vlerën 130 mijë euro do të zbatohet për 12 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës. /BW