Prokuroria thotë se rusët e arrestuar këtë të shtunë pas incidentit në Uzinën e Armëve në Gramsh ishin duke bërë foto dhe tentuan të hyjnë në perimetrin e uzinës.
Ende nuk është e qartë se çfarë janë, apo synimet që kanë pasur. Në rast se do ishin turistë thotë prokuroria, nuk do reagonin me neuroparalizues.
Në uzinën mekanike të armëve në Gramsh nuk prodhohen armë që prej vitit 1993. Më pas pati vetëm montime dhe rregullime të armëve deri në vitin 2004. Në këtë uzinë më vonë nisi procesi i demontimit të armëve, i cili ka zgjatur deri para një viti.
Uzina ka armatime të ushtrisë brenda saj dhe është objekt i rëndësisë së veçantë që ruhet nga ushtria shqiptare.
Pavarësisht qëllimit që kanë pasur rusët, gjë që i ngelet institucioneve përkatëse për ta zbuluar, situata në uzinën mekanike të Çekinit mbetet shqetësuese për sa i përket kushteve të punës së punonjësve.
Tashmë ajo ka mbetur si një magazinë e mallrave të vjetra dhe kushtet janë mizerabël.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi trumbeton se jemi vend i NATO-s, por nëse shkon në uzinën mekanike në Gramsh e kupton se aty nuk ka as energji elektrike dhe as kushtet më minimale për të pasur një ambient pune.
Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes deri para pak kohësh kanë qenë rreth 50 punonjës, por ata nuk u paguan dhe u detyruan ta lënë punën.
Aktualisht është një vend i lënë djerrë, ku janë vetëm ushtarët roje të cilët gjithashtu kanë disa muaj që nuk janë paguar.
Uzina ka dhe një drejtor që quhet Lorenc Zani, por praktikisht është drejtor vetëm i vetes së tij.
Vox News tentoi ta kontaktonte, por numri i tij del jashtë shërbimit për momentin.
Burimet saktësojnë se shumica e pjesëve metalike që kanë qenë në uzinë janë shitur për skrap dhe aktualisht kjo është totalisht e nxjerr jashtë funksioni.
Uzina Mekanike Gramsh është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armë këmbësorie.
Kombinati ndodhet në fshatin Çekinë në Komunën Pishaj, 4 km pranë qytetit të Gramshit.
Uzina Mekanike Gramsh, u ndërtua dhe filloi aktivitetin e saj në vitet 60–të, ndërsa prodhimi me liçensë kineze filloi në vitin 1962 me pushkë të tipit “Simonov” me kalibër 7.62 mm. Në vitin 1974 u instalua prodhimi i automatikut të famshëm AK-47.
Uzina siguron shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes, riparime, trajtime në të nxehtë si edhe emalimin e sipërfaqeve. Ajo kreu projektin e demontimit të armatimeve të tepërta, dhe riparime të armëve ekzistuese.
Disa kohë më parë, Uzina njoftoi se do niste prodhimin e armëve të këmbësorisë për të cilat UMG ka liçensë.
Më poshtë po japim disa fotografi nga ish-uzina mekanike tashmë e kthyer në ngrehinë./Vox News