Lëshimi apo pranimi i faturave false, si ato për të cilat akuzohen kompanitë e lidhura me koncesionet e inceneratorëve, është një skemë jashtëzakonisht shumë e thjeshtë. Autoritetet tatimore e kanë gjithashtu po aq të thjeshtë identifikimin e tyre, e megjithatë, mashtrimet e kësaj natyre vijojnë prej vitesh.
Supozo se je një mashtrues që dëshiron të fitosh para shpejt dhe lehtë. Hapi i parë që duhet të bësh është që të regjistrosh një kompani në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Rekomandohet që kompania të jetë në formën Sh.p.k., dhe që ajo të ketë një adresë jo të saktë dhe diku larg në ndonjë zonë rurale. Të duhet të regjistrohesh si biznes me TVSH. Kjo është e domosdoshme. Le ta quajmë këtë biznes “Y. – Z. – Zh 07”. Kostoja e regjistrimit të një biznesi është zero lekë, por para se të mund të fillosh të fitosh para, të duhet që së paku të regjistrosh një të punësuar, të fillosh të paguash sigurime shoqërore e shëndetësore, të pajisesh me një certifikatë fiskale dhe të blesh një program për lëshimin e faturave elektronike. Këto të gjitha nuk kushtojnë shumë para. Mjaftojnë nja 500 euro dhe je në lojë.
Por çfarë mund të shesësh në rast se nuk ke mall, nuk ke kapital dhe nuk ofron dot ndonjë shërbim në treg?
Përgjatë viteve, disa njerëz nëpër Shqipëri dhe në shumë vende të tjera të botës ia kanë dalë të bëjnë para duke shitur fatura fiskale joreale. Kjo ndodh për shkak se çdo biznes i regjistruar si subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është automatikisht agjent tatimor për llogari të shtetit. Me pak fjalë, TVSH-ja, e cila në Shqipëri është për shumicën e mallrave dhe shërbimeve në masën 20% të vlerës, paguhet nga konsumatori fundor, ndërsa biznesi shitës ia mban këtë shumë konsumatorit me qëllim që t’ia derdhë buxhetit të shtetit një herë në muaj.
Pra, nëse një konsumator final blen një hamburger me vlerë 100 lekë, shitësi i faturon atij 120 lekë, nga të cilat, 20 lekë janë TVSH për shtetin, ndërsa 100 lekë është vlera e hamburgerit. Por prodhuesi i hamburgerit nuk derdh 20 lekë në shtet, pasi gjatë procesit të punës, ai ka blerë mallra dhe shërbime në funksion të prodhimit të hamburgerit, të cilat i ka blerë me TVSH. Për rrjedhojë, nëse prodhuesi ka blerë 20 lekë mish, 10 lekë panine dhe 30 lekë gjëra të tjera, gjithsej 60 lekë, ai ka paguar për këto blerje 10 lekë TVSH. Për rrjedhojë, detyrimi neto i prodhuesit të hamburgerit është diferenca mes këtyre të dyjave, 20 lekë TVSH që i ka marrë blerësit dhe 10 lekë TVSH që ua ka paguar furnitorëv.
Peor nëse prodhuesi i hamburgerit dëshiron të mos paguajë 10 lekë TVSH, por të paguajë më pak, atij i duhet të gjejë fatura furnizimi me TVSH dhe këtu hyn në lojë kompania “Y. – Z. – Zh 07”.
“Y. – Z. – Zh 07” nuk ka mall për të shitur dhe rrjedhimisht, ajo mund të ofrojë një faturë thjesht false. Por fatura që ajo lëshon shoqërohet me TVSH. Pronari i dyqanit të hamburgerit mundet që të bjerë në bashkëpunim me pronarin e kësaj kompanie për të lëshuar një faturë false me vlerë 60 lekë dhe me TVSH me vlerë 10 lekë. Në këtë rast, “Y. – Z. – Zh 07” merr përsipër të derdhë në buxhetin e shtetit 10 lekë TVSH. Por në vend që ta derdhë, ajo çan ferrën. Pronari i kompanisë së hamburgerit nuk paguan me të vërtetë 60 lekë për faturën e marrë, por ai mund të bjerë dakord që t’i paguajë pronarit të kompanisë “Y. – Z. – Zh 07” një ryshfet prej, fjala vjen, 1 lek, ndërsa i kursen vetes 10 lekë detyrim TVSH-je.
Ligjërisht mund të ndodhin vetëm dy gjëra pas kësaj: e para, tatimet e identifikojnë pronarin dhe administratorin e “Y. – Z. – Zh 07” si mashtrues dhe e referojnë për ndjekje penale. Ai mund të dënohet me shtatë vjet burg. Por tatimet mundet gjithashtu ta shohin këtë thjesht si një biznes të falimentuar. Bizneset falimentojnë gjatë të gjithë kohës dhe nëse një biznes krijon borxh tatimor para se të falimentojë, këtu nuk ka vepër penale të kryer. Që të ketë vepër penale, duhet të vërtetohet se fatura është e pavërtetë, e pashoqëruar me një mall apo një shërbim konkret. Por ajo që ka më shumë rëndësi në këtë mes është që biznesi që ka pranuar faturën fiktive, ai teorikisht nuk ka kurrfarë përgjegjësie, as ligjore dhe as penale. Nëse hetojnë, prokurorët do të duhet të vërtetojnë se biznesi që ka pranuar faturën ka qenë me vetëdije i përfshirë në mashtrim.
Problemi është që skema të tilla nuk ngrihen për të fshehur TVSH-në e një hamburgeri dhe nuk bëhen për të kursyer 10 lekë TVSH. Ato bëhen për miliona euro. Imagjino: Një biznes ka arkëtuar 1.2 milionë euro shitje dhe duhet të derdhë në buxhetin e shtetit 200 mijë euro TVSH, por vendos që të gjejë një kompani mashtruese që t’i lëshojë një faturë për një mall a shërbim jo realisht të dhënë me vlerë 1.2 milionë euro. Detyrimi i këtij biznesi për TVSH-në zbret nga 200 mijë euro në zero, ndërsa biznesi fals krijon 200 mijë euro borxh ndaj tatimeve, ndërsa merr një pagesë të majme për shërbimin e dhënë.
Aktualisht ka shumë raste të zbuluara përgjatë dekadës së fundit, ku në burg kanë përfunduar lëshuesit e faturave fiktive, ndërsa përfituesit e këtyre faturave kanë dalë të pafajshëm. Kjo është e kuptueshme në kushtet e Shqipërisë, nëse marrim parasysh se kompanitë që pranojnë fatura të tilla nuk janë dosido. Në fakt, një raport i kohëve të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili analizon situatën e administrimit tatimor në Shqipëri, vëren se është sektori i ndërtimit ai që pranon më shumë fatura të tilla të pavërteta, pasuar nga sektori i kromit. Me pak fjalë, e ashtuquajtura “oligarki” duket se është përfshirë, mes shumë paudhësive të tjera, edhe te mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Zgjidhja, sipas FMN-së, është që së paku për ata sektorë ku rreziku i mashtrimit është i madh, si ndërtimi dhe kromi, të zbatohet koncepti i “bashkëpërgjegjësisë”, pra që tatimorët t’ia kërkojnë TVSH-në e humbur jo vetëm kompanive fantazma që krijohen për qëllime mashtrimi me TVSH-në dhe zhduken, por edhe kompanive që pranojnë fatura të tilla që janë haptazi fiktive.
Këshilla e FMN-së për këtë qëllim ishte pjesë e një pakete rekomandimesh për ndryshime fiskale. Nga këto rekomandime, qeveria duket se ka pranuar vetëm një, taksimin e një numri të vogël shqiptarësh të njohur si klasa e profesionistëve, të cilët përfitojnë aktualisht duke u regjistruar si person fizik. Sa i përket rekomandimeve për të luftuar mashtrimet me TVSH-në në sektorin e ndërtimit dhe atë të kromit, qeveria, në mënyrë shumë domethënëse, nuk është shprehur ende./BIRN