Si u hoq zyrtarisht mësimi i fesë nga shkollat publike më 23 mars 1946
Nga: Hasan Bello
Rivendosja e mësimit fetar në shkollat publike ishte një proces i vështirë për komunitetet fetare. Institucionet shtetërore e konsideronin këtë si një kërkesë të pamotivuar. Kjo për faktin se regjimi komunist ishte i vendosur për të zhdukur në përputhje me ideologjinë marksiste çdo element religjoz. Por për arsye taktike, sipas drejtuesve të PPSH, kjo duhej bërë në mënyrë graduale. Në fillim të vitit 1945 qeveria shqiptare lëshoi një urdhër, sipas të cilit, mësimi i fesë do të hynte në shkollat shtetërore me një orë mësimi në javë. E veçanta ishte se lënda në fjalë ishte fakultative. Ndërsa mësuesit duhej të zotëronin mirë bazat e besimit dhe pasi të miratoheshin nga komunitetet fetare, të merrnin pëlqimin e seksioneve arsimore. Në mesin e majit 1945 Ministria e Arsimit dha udhëzime për përdorimin e teksteve për lëndën e fesë. Por pa kaluar as dy tre muaj qeveria mori një vendim me karakter laik. Sipas tij, të gjitha shkollat do të ishin shtetërore. Kjo bëri që mësimi i fesë ta humbte rëndësinë. Mungesa e klasave ishte një problem tjetër. Drejtuesit e seksioneve arsimore sabotonin qëllimisht mësuesit e kësaj lënde. Propaganda e të rinjve komunistë në shkolla ishte një pengesë tjetër. Drejtoritë e shkollave dhe disa mësues komunistë i nxisnin fëmijët të braktisnin lëndën e fesë.
Më 16 mars 1946 u shpall Kushtetuta, e cila sanksionoi karakterin laik të shkollës. Sipas saj, doktrina fetare nuk pajtohej me shkencën dhe qëllimet e shkollës. Në shtypin e kohës kultivohej urrejtja për klerin dhe fenë. Ata, sipas tyre, kultivonin injorancën dhe përçarjen e popullit shqiptarë. Ndërsa shkolla nuk mund të përdorej për mësimin e saj. Kjo propagandë u shoqërua me masa konkrete. Më 23 mars 1946, Ministria e Arsimit urdhëroi të gjitha zyrat arsimore në qarqe për ndalimin e mësimeve fetare në shkolla. Në fakt, pjesa dërrmuese e tyre e kishte bërë këtë vendim fakt të kryer.