Shtëpia të Moshuarve në Kavajë do të mbajë emrin e mjekut Sefer Dervishi i cili ndërroi jetë nga Covid19.
Në një ceremoni të vogël, për shkak të masave anti- Covid, Shtëpisë së të Moshuarve të Kavajës iu vendos sot emri i mjekut që shërbeu e u kujdes për banorët e saj për vite me radhë.
Teksa vlerësoi kontributin e mjekut Dervishi, Kryetari i Bashkisë së Kavajës Redjan Krali tha se është në nderin e këtij institucioni që të mbajë emrin e një njeriu që i shërbeu jo vetëm të moshuarve këtu por të gjithë qytetarëve për 40 vite me radhë. Qyteti ynë i është mirënjohës doktor për gjithçka që ai bëri duke na shërbyer dhe kujdesur për shëndetin tonë pasi ajo që ai la pas ishte puna dhe kujdesi për jetën.
Bashkëshortja e doktor Seferit, Miranda Dervishi u shpreh se ky akt është vlerësim për punën e pakyrsyer të tij në shërbim të të moshuarve dhe qytetit.
Për Drejtorin e Shtëpisë së të Moshuarve Neritan Bajaziti vendosja e emrit të doktorit këtij institucioni është vlerësimi për punën vetëmohuese të tij në shërbim të tyre.
Mjeku Sefer Dervishi u nda nga jeta në moshën 61 vjeçare në 16 Shtator, pasi humbi betejën e tij me virusin sars-cov2.