“Shtëpia e Lirisë”, Sali Berisha në koalicion me LSI-në për zgjedhjet e 6 Marsit


Ish-kryeministri Sali Berisha konfirmoi se kandidatët e tij për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit do të garojnë në koalicion me LSI-në, me emrin e përbashkët “Shtëpia e Lirisë”.

Ish-kryeministri tha se po negociohet lidhur me modalitetet dhe se është në bisedime edhe me parti të tjera.

“Si koalicion, Pa diskutim po. LSI është pjesë e këtij koalicioni dhe po shikohen modalitetet që ka ligji, sepse ligji ka ca modalitete absurde. Po negociohet me parti të tjera. Ka një përcaktueshmëri ligjore sa duhet të jenë, se nuk mund të jenë më shumë, po merret një grup me këtë çështje”, tha Berisha.

“Ky është një revolucion, nuk regjistrohen me një logo. Koalicioni do të quhet Shtëpia e Lirisë. Do të ketë logon e vetë. Gjë e cila është normale në çdo koalicion, logoja nuk është më e partisë por e koalicionit. E them këtu. Është një konfiskim nga narko-shteti dhe Edi Rama do e paguajë shtrenjtë”, shtoi Berisha.