Shqipëria renditet në fund të Evropës përsa i përket të ardhurave për frymë dhe fuqinë blerëse. Në një raport të publikuar nga Eurostat mbi madhësinë ekonomike për vitin 2022, e rendit Shqipërinë në vendet me varfëri të theksuar. Të ardhurat për frymë të individëve në Rajon janë më të larta në Malin i Zi, me 50% të mesatares së BE-së. Në vendin e dytë vjen Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 35% dhe Shqipëria e fundit me të ardhurat më të ulëta për frymë, vetëm 34% e BE-së.
Duke pasur parasysh shifrat, me përjashtimin e Bosnjës që ndodhet thuajse në të njëjtin nivel, diferenca e vendit tonë me shtetet e tjera është ndjeshëm e thelluar në aspektin negativ. Shtetet fqinje të vendit tonë kanë pasur një qëndrueshmëri dhe përmirësim të ndjeshëm të mirëqënies së banorëve të tyre, të cilët kanë pasur më shumë të ardhura për frymë, e kundërta e shqiptarëve që ka të ardhurat më të ulëta.
Të ardhurat e pakta kanë ndikuar automatikisht në uljen e fuqisë blerëse, pra pamundësinë për blerjen e ushqimeve dhe shërbimeve jetësore. Edhe në këtë listë Shqipëria renditet e fundit në Evropë dhe Rajon, si shteti me fuqinë më të ulët blerëse. Thënë në përqindje, një qytetar shqiptar ka mundësinë të blejë sa 41% e mesatares të një shtetasi që jeton në Evropë.
Në të njëjtat nivele është dhe Bosnjë-Hercegovina, ndërkohë që kryesimin e listës së fuqisë blerëse nga vendet e rajonit e mban Mali i Zi me 63% e mesatares së BE-së, Serbia me 53% dhe Maqedonia e Veriut me 50%. Nga vendet e Evropës kryesimin e listës së të ardhurave për frymë e mban Luksenburgu me 256%, i ndjekur nga Irelanda me 235% dhe Norvegjia me 112%. Po të njëjtat vende kryesojnë edhe listën e fuqisë blerëse.