“Shqipëria po kthehet në vendin e pensionistëve”, Sula: Në 50 nga 61 bashki ka më shumë pleq se të rinj

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula është shprehur përmes një reagimi në rrjetet sociale se “Shqipëria po kthehet në vendin e pensionistëve”.

Sipas tij Shqipëria e cila para pak vitesh mbante rekord për popullsinë më të re, sot ka më shumë pleq se të rinj në 8 nga 12 qarqe apo thënë ndryshe 50 nga 61 bashki.

Ai shtoi se kjo është një panoramë e zymtë edhe pse e paralajmëruar dhe se nga ana tjetër qeveria hedh çdo hap në shërbim të propagandës së saj dhe interesave elektorale.

POSTIMI I PLOTË

Shqipëria po kthehet në vendin e pensionistëve.
Me ritme shumë më të shpejta sesa mendohej, Shqipëria e vogël e cila para pak vitesh mbante rekord për popullsinë më të re, tani po kthehet në vendin e pensionistëve.
Sipas INSTAT, 8 nga 12 qarqe apo 50 nga 61 bashki kanë më shumë pleq sesa të rinj. Për ta sqaruar: nuk kam asgjë të keqe me moshën e tretë, por është problem se me këtë raport, nuk do mjaftojnë kontributet e atyre që punojnë për të mbuluar pensionet e të moshuarve.
Si deputet i zonës, e përjetova edhe më shumë këtë fakt kur në radhët e qarqeve me më shumë të moshuar sesa të rinj ishte edhe Qarku i Elbasanit.
Prej disa vitesh e kam ngritur si shqetësim dhe i kam bërë thirrje qeverisë që të ndërmerrte politika stimuluese për të mbajtur të rinjtë në vend, por sic tregojnë faktet thirrjet kanë rënë në veshë të shurdhët.
E kam thënë që pa rini, vendi nuk ka të ardhme dhe ja sesi po faktohet. Të rinjtë kanë marrë rrugët e botës, po punojnë dhe sigurojnë një jetë më të mirë jashtë vendit të tyre. Kjo do të thotë se ata kanë qenë të aftë për të ndërtuar një të ardhme të mirë edhe këtu, por u janë mohuar mundësitë.
Edhe ata pak investitorë që kanë ardhur në këtë dekadë në Shqipëri, në sektorin fason tani po ikin sepse në Shqipëri nuk kanë më punëtorë.
Në Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd dhe në të gjithë vendin tashmë nuk ka më të rinj për të punuar për të zhvilluar ekonominë e tyre por edhe vendin.
Kjo është një panoramë e zymtë edhe pse e paralajmëruar. Ndërkohë që mazhoranca dhe qeveria hedh cdo hap në shërbim të propagandës së saj dhe interesave elektorale. Pas 11 vitesh në qeverisje lajmëron se para zgjedhjeve për 2025 do të rris pagën për mësues, policë, mjekë e infermierë. Ndërkohë që në krye të 11 viteve janë me mijëra policë të larguar, mjekë të larguar etj.