“Shqipëria fiton”, Basha njeh me programin e PD çiftin e ri: Nuk janë premtime, por angazhime. Do ta ndryshojmë vendin bashkë me të rinjtë

Kryedemokrati Lulzim Basha i ka cilësuar angazhime dhe jo premtime pikat e programit ekonomik që PD prezantoi pak ditë më parë.

Basha ka biseduar sot me një çift të rinjsh duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe nga ana tjetër i ka njohur me programin e PD prej të cilit, siç theksoi ai fiton Shqipëria dhe fitojnë shqiptarët.

Wood Flavour

“Unë nuk ju bëj premtime, as ju, as pensionistëve, as biznesit. Partia Demokratike nuk bën premtime por merr angazhime. Këto janë angazhime të patjetërsueshme të cilat do t’i bëjmë realitet, janë pjesë e një plani të mirë menduar dhe të zbatueshëm. E keni parë që kanë një javë tani që merren vetëm me sulme ndaj planit që ne kemi shpalosur. Pse? Sepse s’kanë bërë asgjë për 8 vite dhe shqiptarët e dinë që ata s’kanë mbajtur asnjë premtim. Shqiptarët e dinë që gjërat duhet të ndryshojnë, duhet patjetër të ndryshojnë dhe e dinë që në qoftë se vazhdohet kështu humb Shqipëria, humbin shqiptarët. Nëse ndryshon me planin tonë fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët. Dhe kjo është ajo që i shtyn drejt sulmeve se njeriu kur ka një alternativë e shpalos dhe thotë: këtë mendoni ju si opozitë? Jo, ne mendojmë këtë si qeveri. Por ata kanë dështuar, kanë pasur 8 vite kohë, 8 vite kohë për të realizuar premtimet e tyre e s’kanë mbajtur një premtim të vetëm dhe tani sillen dhe sulmojnë planin tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza që është shenjë e qartë se ata prapë se prapë, jo vetëm që nuk kanë asnjë zgjidhje dhe asnjë plan për ju, por pushtetin e kërkojnë për vete. Ndërsa ne kërkojmë të ndryshojmë Shqipërinë dhe do ta ndryshojmë bashkë më ju, do ta ndryshojmë bashkë me rininë shqiptare. Por për këtë na duhet ndihma juaj. Vullneti juaj për ndryshim duhet të përkthehet në votë dhe të jeni të sigurt që do të keni ndihmën tonë. Do të keni ndihmën e shtetit nesër. Nesër do të keni një qeveri që nuk mendon për vetë, mendon për ju”, deklaroi Basha./Bw