Shqipëria duhet të dëmshpërblejë me 110 milionë euro Becchettin, Agron Duka: U kushtojnë taksapaguesve shqiptarë 14.5 miliardë lekë

 

Kreu i PAA Agron Duka ka reaguar pas humbjes së gjyqit me biznesmenin Becchetti që e detyron Shqipërinë ti paguajë 110 milionë euro.

Duka shkruan se bashkë me kostot e tjera u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 14.5 miliard lekë që sipas tij, është rreth 1.5 herë më shumë se buxheti i bujqësisë.

Ai deklaron se ndryshimi është fillimi i fundit të kësaj qeverisje arrogante dhe e babëzitur.

Postimi i plotë:

“Rama e do të tretin për të paguar Becchettin”.

110 milionë euro bashkë me kosto e tjera u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 14.5 miliard lekë.

Kjo është rreth 1.5 herë më shumë se buxheti i bujqësisë.

Ja përse bujqësia keq financohet dhe Shqipëria braktiset.

Shqiptarët e varfër që kishin ndonjë mos pagesë në kohë për dritat apo ujin përfunduan në burg.

Disa kryen vetëvrasje dhe familjet e tyre u varfëruan më keq.

Të varfrit dënohen e denigrohen – politikanët oligarkë dhe oligarkët që kanë kapur prej fryme ekonominë dhe qeverinë vetëm pasurohen.

Kultura e mos dënimit është realiteti i dënueshëm dhe i trishtueshëm që u rëndon rëndë shqiptarëve.

Ndryshimi është fillimi i fundit të kësaj qeverisje arrogante dhe e babëzitur.