Shqipëri me karakter, por Italia tepër e fortë për kuqezinjtë, Axurrët fitojnë me përmbysje në “Air Albania”


Kombëtarja shqiptare mposhtet për herë të katërt nga Italia, kësaj here në shifrat 1-3, sfidë e luajtur për herë të parë në “Air Albania”.

Ndonëse kuqezinjtë shënuan të parët, çka ishte edhe goli i parë që Shqipëria u shënon axurrëve, të besuarit e Mancinit përmbysën më pas gjithçka. Pas disa tentativave të kuqezinjve, në minutën e 16-të vjen goli.

Në një goditje dënimi, Ismajli fluturon mbi mbrojtësit e Italisë dhe me kokë mposht portierin Meret, i cili mbetet i palëvizur.

Por zgjat shumë pak festa kuqezi, vetëm 4 minuta.

Pas një rivënie anësore, mbrojtja kuqezi nuk është e pozicionuar mirë dhe Di Lorenzo tund rrjetën duke barazuar shifrat. Në 25’ vjen përmbysja nga miqtë. Raspadori kalon me lehtësi Kumbullën dhe pason për Grifon, i cili i vetëm çon topin në portë.

Ndeshja vijoi me ritëm dhe kuqezinjtë u përpoqën të reagonin, por janë axurrët që rrezikojnë më shumë, teksa godasin edhe shtyllën.

Në pjesën e dytë ka një reagim të mirë të të besuarve të Edi Rejas, madje Bajrami në 63’ prek traversën. Por një minutë më pas Italia ndëshkon sërish. Është përsëri Grifo që realizon. Pavarësisht rasteve të tjera, nuk pati më gola dhe mbyllet 1-3.