Në ditët e kërkimit shkencor Egesta Lopçi mori ftesë nominale nga presidenti italian. Ajo ishte ftuar në presidencën italiane si një ndër personalitetet e mjekësisë që i ka dedikuar jetën zbulimeve ndaj tumoreve.
Një shkencëtare myslimane nga Shkodra, Egesta Lopçi, është studiuese e avancuar e mjekësisë bërthamore. Së fundmi ajo është nderuar me një tjetër çmim ndërkombëtar për kërkimet shkencore të luftimit të kancerit.
Dr. Lopçi që prej 20 vitesh jeton, studion e punon në Itali. Disa nga angazhimet shkencore janë puna si mjeke në spitalin “Humanitas” në Milano, relatore për masterin e hematologjisë pediatrike në “La Sapienza” në Romë, anëtare e Komisionit Pediatrik dhe Etik në Shoqatën Evropiane të Mjekësisë.
Karriera
Egesta i përket një familjeje qytetare shkodrane të besimit islam, gjë që nuk e ka penguar atë të studiojë në Itali, madje dhe të zgjedhë të mbajë veshjen dalluese të këtij besimi, siç është shamia. Ajo ka përfunduar shkollën e mesme në gjimnazin ”28 Nëntori’ në Shkodër dhe, pasi bëri kërkesën, fitoi të drejtën për të studiuar për “Mjekësi” në Universitetin e Bolonjës në Itali, ku ciklin e parë të studimeve e përfundon në vitin 2006 me vlerësim maksimal.
Niveli i përgatitjes së saj dhe rezultatet e larta në universitet bëjnë që ajo të ndjekë specializimin në mjekësinë bërthamore, të cilën e përfundoi brenda pesë vitesh.
Po në të njëjtin universitet, merr doktoraturën mbi patologjinë tumorale të mushkërive.
Kërkimet e saja fokusohen në përdorimin e PET-it si metodë hetimi e patologjive tumorale nëpërmjet injeksionit të shënjuesve molekularë radioaktivë, i cili vëzhgon tumorin nga jashtë për të identifikuar karakteristikat e përhapjes së tij. Gjithashtu, ajo kooperon me grupin italian të studimit të linfomës së Hodgkin te fëmijët dhe është referente e mjekësisë bërthamore për këtë grup.
Së bashku me disa kolegë të tjerë italianë ndoqi një studim për tumorin dhe neuroblastomën po tek fëmijët. Është autore dhe bashkautore e disa artikujve dhe librave shkencorë, ku i fundit është libri universitar Compendio di Diagnostica Medico Nucleare, në lidhje me diagnostikimin e sëmundjeve tumorale./Kavaja.Net/