Borxhi që qeveria ka marrë për të kryer shpenzime shtesë që nuk arrijnë të mbulohen nga të ardhurat buxhetore vlerësohet të ketë arritur në 82.7% të prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë 2022, sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe para kandidate.
Ky është niveli më i lartë në rajon, duke ia kaluar edhe Malit të Zi, që deri tani kishte borxhin më të lartë deri tani.
Sipas raportit të Komisionit Europian, stoku i borxhit publik u rrit në 82.7% të PBB-së, në rritje nga 74.9% në tremujorin e mëparshëm dhe 68.8% të PBB-së një vit më parë.
Ndërsa Ministria e Financave, në buletin e borxhit publik e raporton nivelin e borxhit në nivele shumë më të ulëta prej 69.5% të PBB-së në tremujorin e parë 2022, në rënie nga 73.1% në fund të vitit 2021.
Në rajon, nivelin më të ulët të borxhit publik e ka Kosova, me 20.3% të PBB-së, Bosnjë Hercegovina (35.4%), Maqedoni e Veriut (47%), Serbi (56.5%), mali i ZI (76.6%).
Në vitin 2020, të gjitha vendet e rritën borxhin publik, teksa qeveritë hartuan paketa ndihme për të mbështetur ekonominë që u godr nga karantinat për frenimin e përhapjes së Covid-19. Rekordin e arriti Mali i Zi, që e çoi borxhin në mbi 100% të PBB-së. Shqipëria, ndonëse e rriti borxhin dha paketat më të ulëta të ndihmës me rreth 1% të PBB-së, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtare.
Më pas, me rimëkëmbjen e ekonomisë borxhi filloi uljen në të gjitha vendet, por në Shqipëri, sipas shifrave të Komisionit Europian rezulton që tendenca është në rritje.
Fondi Monetar Ndërkombëtare e ka rekomanduar vitet e fundit qeverinë që të ulë borxhin publik, të përqendrohet në kryerjen e shpenzimeve të nevojshme dhe të orientojë një pjesë të të ardhurave për mbrojtjen e shtresave në nevojë.
Rreziku kryesor, sipas FMN-së, është që nëse ekonomia përkeqësohet, deficiti dhe borxhi do të vazhdonin të rriteshin dhe si rrjedhojë, qeveria nuk do të kishte para në dispozicion që të zvogëlonte efektin në ekonomi të kësaj goditjeje. Tashmë që inflacioni kërcënon të ngadalësojë ekonominë, një borxh i lartë nuk i krijon hapësira fiskale qeverisë për të mbështetur ekonominë dhe shtresat në nevojë.
Sipas Fondit, do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontingjencën./Monitor
Burimi: Komisioni Europian