Shembja e “Prestige Resort”/ Fatos Lubonja: Veprime të droguarish që nuk njohin ligjin, synojnë të ngjallin frikë

Analisti Fatos Lubonja komentoi denoncimet e bëra në adresë të Dallandyshe Bicit në lidhje me korrupsionin që ajo ushtron në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

I ftuar në studion e News 24, Lubonja theksoi se denoncimet duhet të merren nën shqyrtim nga drejtësia dhe organet ligjzbatuese për të parë nëse qëndrojnë apo jo.

Por sipas tij fakti që drejtësia nuk vepron dëshmon se ajo është e kapur prej maxhorancës.

Duke u ndalur te shembja e “Prestige Resort”, Lubonja theksoi se kjo qeveri me këtë veprim kërkon të ngjallë frikë dhe të përcjell mesazhin se nuk pyet për organet e drejtësisë.

“Pashë reagimin e Dallandyshe Bicit ku thotë se është në shenjestër të mediave se shembi pallatin, por ne duhet të dimë nëse janë apo jo të vërteta këto akuza.

Këtu lind pyetja është shpifje apo e vërtetë, e ndan gjykata dhe organet. Prapë vijmë te drejtësia. Këta veprojnë si bandit. Se ku do ndalojë kjo histori unë nuk e di. Ky bashkëpunim me institucionin e drejtësisë është i frikshëm. Pse nuk presin dhe një ditë të marrë vendimin drejtësia dhe pastaj të veprojnë me shembjen.

Kanë frikë se mos u ka ngelur ndonjë fije yndyrë drejtësie gjyqtarëve, ndaj duan të përcjellin mesazhin mos shkoni as në gjykata fare se ne nuk pyesim për asgjë.

Janë veprime që synojnë të ngjallin frikë, të ndajnë mesazhin që ne nuk pyesim, “mbylleni gojën mos shkoni as në gjykata fare”. Janë veprime që tregojnë një siguri që ne kemi kapur gjithçka.

Mund të interpretohet dhe veprime të drogruarish që nuk njohin as ligjin më, të droguar nga pushteti nga vetëkënaqësia, por dhe nga drogërat konkrete. Janë vendime të frikshme dhe paraljmërojnë gjëra më të frikshme ndaj duhet ndaluar me çdo kusht”, tha Lubonja.