Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Facebook se do të kallëzoj penalisht Autoritetin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Në 1 shtator do të kallëzoj penalisht Autoritetin e Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet në funksion të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës”, shkruan Meta në Facebook.
Vendimi i Metës vjen pas tensionit që lindi në skenën politike gjatë fundit të muajit korrik, lidhur me një e-mail anonim të dërguar në llogarinë e Autoritetit të Dosjeve, sa i përket një zyrtari të lartë me inicialet I.M. që ka shërbyer si agjent i ish-Sigurimit.
Më pas, kërkesa e AD drejtuar Kuvendit për të kryer kërkime serioze lidhur me të dhënat e këtij e-maili ndezi debatin politik, dhe shtyu mazhorancën të paraqiste dy ndryshime në projektligjin për dosjet e sigurimit, që do të detyrojnë KQZ të privojë nga kandidimi për poste publike, persona me të shkuar të dyshimtë në dosjet e sigurimit të shtetit.