Për herë të parë, në bregdetin e Kavajës do ketë një plazh publik për personat me aftësi të kufizuara!
Hapja e sezonit turistik veror këtë vit, në datë 18 Maj 2022, do të sjellë risi për herë të parë Plazhin publik të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar.
Është plazhi i parë i kёtij lloji në Shqipëri dhe jemi të lumtur që gjendet në vijën tonë bregdetare të territorit të Bashkisë Kavajë, Njësia Administrative Golem.
Plazhi publik i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar gjendet 500 m nga rrethrrotullimi i Golemit, pranё Hotel Fllad, Kavajё dhe garanton elementët e aksesueshmërisë, si:
– një rrogoz aksesi, i cili është i rezistueshëm ndaj ujit dhe krijon akses në ujë për karrocat, personat që përdorin karrige me rrota, personat me vështirёsi nё shikim, këmbësorët etj.;
– një karrige me rrota pluskuese plazhi që u mundёson personave me aftësi të kufizuara fizike dhe tё moshuarve të shijojnё detin;
– një dush të hapur, i cili është i aksesueshëm për personat me të gjitha llojet e aftësive të kufizuara;
– sinjalistika e nevojshme për identifikimin e plazhit të aksesueshëm.
Ai u realizua nga Fondacioni “Së bashku”, si rezultat i financimit nga Qeveria Australiane dhe mbështetjes së Bashkisë Kavajë.
Vendndodhjen e tij e gjeni për lehtësi në linkun: 41°15’17.8″N 19°31’13.0″E – Google Maps.