Tensione në sallën e Kuvendit. Deputetë të opozitës kanë zaptuar foltoren e Kuvendit, ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolli, ka kaluar për votim dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ndryshimet në Qeveri.
“Hajdut Hajdut”, bërtiste Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, duke iu drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares në detyrë Nikolla, ndërsa kjo e fundit ka vijuar me votimin e dekreteve.
Ndërkohë, deputetët e PD janë mbledhur rreth foltores duke shprehur edhe protestën e tyre, pasi më parë i është refuzuar kërkesa për debat lidhur me ndryshimet në Qeveri.
Mes kaosit të krijuar në sallën e Kuvendit, ku një pjesë e ligjvënësve opozitarë ndodheshin në foltore dhe të tjerë godisnin tavolinat, deputetët kanë votuar dekretet.
Kuvendi votoi me 79 vota pro shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre për marrëdhënien me Parlamentin.
Me 78 vota pro u shkarkua nga posti i ministrit të Financave i Ervin Metes, me 78 vota pro u miratua shkarkimi i Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe me 84 vota u shkarkua Taulant Balla si ministër i Brendshëm.
Ndërkohë Kuvendi votoi për emërimin e Petrit Malajt në postin e ministrit të Financave me 77 vota pro, ndërsa Pirro Vengu u emërua ministër i Mbrojtjes po me 77 pro.
Ervin Hoxha u votua si ministri i ri i Brendshëm me 76 vota pro dhe Taulant Balla si ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin me 78 vota pro.
Me 75 vota pro dhe 4 kundër Elisa Spiropali, është zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Votimi për Spiropalin është zhvilluar me elektronikë, në pamundësi për tu zhvilluar me kuti, për shkak të kaosit që përfshiu sallën e Kuvendit.
Pasi është votuar si Kryeparlamentare, Spiropali ka mbajtur një fjalim, ndërsa deputetët e opozitës kanë vijuar të godasin tavolinat. “Flamur një fjalë edhe mund të ma lejoni dhe më pas vijojmë me debatit sesionin e ri parlamentar”, iu drejtua Spiropali, deputetit Noka.
Spiropali shprehu falenderime dhe mirënjohje që iu besua pozicioni si kryeshërbëtore e Kuvendit.