Ndonëse Edi Rama dhe “ushtarët” e tij në qeveri e paraqitën si sukses dhe arritje të madhe sjelljen e 27 liderëve europianë në Tiranë, të martën e 6 dhjetorit Samiti i BE- Ballkani Perëndimor u mbyll me miratimin e një deklarate mjaft kritike për Shqipërinë.
Kështu, në një klimë tejet të nxehtë në Shqipëri kur qeveria Rama ka goditur në themel lirinë e medias me shembjen e “Prestige Resort” në pronësi të “Hysenbelliu Group”, pronari i medias më të rëndësishme informative në vend, samiti BE- Ballkani Perëndimor vë theksin te liria e shprehjes duke kërkuar më shumë angazhim në këtë pikë si dhe apelon për luftimin e fenomeneve të rënda si krimi dhe korrupsioni për të cilat vendi ynë është kritikuar prej vitesh.
Bashkimi Europian nënvizon nevojën për përpjekje të qëndrueshme në lufër kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Riktheksojmë rëndësinë e marrjes së veprimeve të vendosura për të trajtuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar në veçanti, pastrimin e parasë, korrupsionin në nivel të lartë, kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Liria e shprehjes është gjithashtu një tjetër e drejtë për të cilën kërkohet angazhim. “BE rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe në veçanti të atyre reformave që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në dokument.
Gjithashtu një tjetër çështje e rëndësishme që nënvizohet në deklaratën e Samitit është edhe integrimi europian i vendeve të rajonit që BE e mbështet, por që rikujton që duhen bërë detyrat e shtëpisë, gjë që i është kërkuar shumë Shqipërisë vitet e fundit. BE bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit duke u bazuar te reformat e besueshme të partnerëve, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit gjë që është në interesin tonë të përbashkët. Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Europian ka ftuar Komisionin, përfaqësuesin e lartë dhe Këshillin të çojë përpara integrimin gradual të rajonit, tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në merita, citohet në deklaratë.
Ndryshe nga sa do të shpresonte Rama dhe Vuçiç për nismën e Ballkanit të Hapur, BE i jep mbështetje tregut të përbashkët europian gjë që mbështetet edhe nga procesi i Berlinit ku së fundmi u nënshkruan disa marrëveshje.
Një tjetër detyrë që i lihet vendeve të Ballkanit Perëndimor janë kthimet e emigrantëve të paligshëm në vendet e origjinës ku Shqipëria së fundmi është kritikuar ashpër për shkak se vijon të thyejë rekord të zi për largimin e qytetarëve të saj drejt Britanisë së Madhe apo vendeve të BE-së.