Kreu i Komisionit Hetimor foli për ndërhyrjet në sistemin TIMS, Ervin Salianji, tha se Komisioni është llahtarisur nga ajo që ka dëgjuar nga dëshmitarët.
Salianji thekson se dëshmitarët nuk kanë dhënë informacion të klasifikuar. Ai shtoi se sistemi TIMS është online dhe ky përbën një skandal, duke thënë se është cenuar siguria kombëtare.
“Jam llahtarisur nga ajo që kam dëgjuar nga dëshmitë. Në dëshmi nuk kishte informacione të klasifikuara. Në diskutimin 6 orë në pyetje me drejtorin e Policisë së Shtetit nuk gjeta asnjë informacion të klasifikuar. Kjo çështje ka zbuluar anë të errëta në lidhje me ndërhyrjen në sistemin TIMS. Sistemi TIMS madje gjendet online, e kanë thënë këtë dëshmitarët.
Duhet të mblidhet Komisioni i Sigurisë, sepse jemi në kushtet e cenimit të sigurisë kombëtare. Skandalin e kanë justifikuar, duke thënë se është gabim njerëzor. PS po përdor forcën e kartonit për të justifikuar paligjshmërinë. Persona të paautorizuar kanë hyrë në sistem.”, tha ai.