Ish-kryeministri Sali Berisha prezantoi sot gjashtë kandidatët e tij për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Në krah të 6 kandidatëve, Berisha vlerësoi zgjedhjet e djeshme, teksa tha se për herë të parë në historinë e pluralizmit u zhvilluan zgjedhje me standard. Sipas tij, këta kandidatë morën besimin e anëtarësisë së PD dhe do të punojnë për të fituar të gjashtë bashkitë më 6 mars.
Më tej, ish-kryeministri u shpreh se “Dita e djeshme shënoi shkëputjen përfundimtare të PD nga praktikat jo transparente, të dyshimta, të errëta, të përdorura në tetë vite nga Lulzim Brava”.
“Falënderoj ata mijëra e mijëra anëtarë të PD, që me votën e tyre të lirë bënë histori. Ata sollën sot këtu para jush, për herë të parë në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri, kandidatë që janë propozuar, votëbesuar e përzgjedhur tërësisht nga anëtarësia e PD. Këto nuk janë primaret e para, pasi primaret e para në historinë e PD janë zhvilluar në vitin 2000 me qeveritarët vendorë. Por, këto janë primaret e para, në të cilat çdo kandidat është produkt dhe atribut i anëtarësisë së PD. Asnjëri nga këta zotërinj që shihni këtu nuk janë kandidatë të Sali Berishës apo të Komisioni të Rithemelimit të PD, por janë të gjithë të propozuarit e bazës së partisë, që kanë mbështetjen absolute totale të Komisionit të Rithemelimit të PD dhe të Sali Berishës. Kjo është diferenca e madhe, kjo i bën këto primare më demokratiket të zhvilluara në ndonjë vend dhe mund t’iu them se dita e djeshme shënoi aplikimin e një standardi të paparë, që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri.
Dita e djeshme shënoi shkëputjen përfundimtare të PD nga praktikat jo transparente, të dyshimta, të errëta, të përdorura në tetë vite nga Lulzim Brava dhe shënoi mbajtjen e një premtimi të bërë anëtarësisë së PD katër muaj më parë dhe të sanksionuar në statutin e kësaj partie në Kuvendin e Rithemelimit të datës 11 dhjetor, të drejtën e anëtarëve për të përzgjedhur përfaqësuesit e tyre në qeverinë vendore, në Parlament, në drejtim të PD në degët e tyre, por edhe kryeministrin e tyre. Kjo garë e djeshme u zhvillua brenda standardeve më të mira të zgjedhjeve të lira, në këtë garë kanë marrë pjesë 21 kandidatura në rrethet Shkodër, Durrës, Peshkopi, Vorë, Lushnjë e Rrogozhinë, nga të cilat këtu kemi gjashtë fituesit e garës. Falënderoj kandidatët për punën e shkëlqyer dhe besimin që morën nga anëtarësia e PD. I siguroj që ne do bëjmë gjithçka në mbështetje të tyre, që ata më 6 mars të jenë qytetarë të parë të bashkive, në të cilat garojnë. Falënderoj të gjithë ekipin, Komisionin e Rithemelimit, atë të Procedurave Zgjedhore, për punën e madhe që bënë në një kohë të shkurtër në realizimin e këtij procesi”, tha Berisha.