Deputetja e zgjedhur e PS-së, Luljeta Bozo, e cila pritet të drejtojë seancën e parë të Kuvendit më datë 10 shtator ka komentuar vendimin e SHBA-ve për shpalljen ‘non grata’ të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Luljeta Bozo si deputetja më e vjetër e Kuvendit shprehet se Sali Berishën s’mund ta ndalojë askush për të hyrë në Kuvend, pasi sipas saj ai është votuar nga populli.
Ajo thekson se vendimi i SHBA ka arsye të forta për ta shpallur ‘non grata’, por ajo shton se prania e Sali Berishës në Parlament do të varët na vullneti i tij personal.
“SHBA-të që kanë marrë atë vendim kanë pasur arsye shumë të forta, nuk e diskutoj fare, aq më tepër për një person që ka drejtuar për aq vite. Nëse hyn apo jo në parlament kjo varet nga dëshira e personit vet. Atë e ka votuar populli, ndaj nuk ka asnjë që ta pengojë të hyjë në parlament”, thotë Luljeta Bozo në një intervistë për Euronews.
QEVERIA E RE
Deputetja e zgjedhur e PS-së ka komentuar edhe emrat e qeverisë së re Rama 3, teksa ka theksuar se është një kabinet që rrallë gjendet në botë, pasi sipas saj ka shumë gra ministre.
“Mbi të gjitha është një qeveri që rrallë e gjen në botë, që ka kaq shumë gra ministre. Rama është burrë i mençur në këtë kuptim, që ka kuptuar forcën e gruas dhe ka dalë i suksesshëm që i ka besuar grave”, shprehet ajo teksa thekson se edhe s’do pranonte të merrte poste ministrore.
“Edhe sikur të më thoshin, s’do pranoja asnjë post ministri. Posti i ministrit është me shumë përgjegjësi konkrete me njerëzit, deputetët e kanë në një plan më të gjerë përgjegjësinë, do forcë, do energji fizike. Unë nuk mund të qëndroj në dikastere që kërkojnë kaq shumë energji”, thotë deputetja e zgjedhur e PS.
KOMUNIZMI
Luljeta Bozo disa muaj më parë ishte në qendër të vëmendjes se mediave, por edhe të opinionit publik për shkak të qëndrimeve të saj ku folur për anën pozitive të komunizmit.
Por deputetja e zgjedhur e PS nuk tërhiqet nga ky qëndrim, teksa thekson se : “Nuk ka sistem që i ka të gjitha gjërat e mira. Ai sistem, e kam thënë dhe nuk heq dorë, ka disa arritje të cilat shumë rrallë ose shumë vështirë mund t’i bëjë një vend si Shqipëria me një ekonomi të shkatërruar nga lufta.
Gjithë Shqipëria bregdetare ishte kënete, e gjeti Shqipërinë me një ekonomi as agrare, me 98 për qind analfabetë. Në 1960, çdo 3 shqiptarë 1 ishte në shkollë, i dha një vrull shumë të madh zhvillimit të arsimit që krijon trurin. Bëri elektrifikimin, bëri vepra hidroenergjetike, bëri sistemin e vaditjes shumë modern. Kishte anë negative, që janë mbyllja hermetike, e dyta ishte lufta pa mend e klasave, gabimi i tretë ishte lufta në ekonomi; kur i morën fshatarit çdo gjë, kjo ishte katastrofa”.