‘Rrugët në Rrogozhinë pa asnjë standard’/ Banorët: Nuk është kryer rehabilitimi i ujërave të zeza, që prej 1952-it s’ka investime

Miliona para janë shpenzuar për ndërtimin e rrugëve në Bashkinë e Rrogozhinës, ndërsa banorët pohojnë se çdo pëllëmbë e shtruar është ndërtuar pa asnjë lloj kriteri.

Sipas banorëve, firma ndërtuese nuk ka kryer rehabilitimin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe atyre të bardha, ndërsa situata vijon të mbetet problematike prej vitesh.

Banorët pohojnë se asfalti është hedhur sipër çakullit, pa u kryer rehabilitimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, ndërsa thonë se në Bashkinë Rrogozhinë ka lagje që nuk kanë parë asnjë investim që nga koha e diktaturës, duke lënë banorët në kushte të vështira infrastrukturore.