Rrogozhinë/Tirana nund Egnatian dhe marshon e qetë drejt titullit kampion


Tirana marshon e qetë drejt titullit kampion teksa ka fituar pastër dhe bindshëm me rezultatin 0-3 ndaj Egnatias në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës.

Sfida nisi vrullshëm për bardheblutë ku Redon Xhixha shënon nga “dhomat e zhveshjes” në sekondën e 24-të me një goditje mjaft të bukur në afërsi të zonës.

Goli i dytë u realizua nga kapiteni, Erjon Hoxhallari, i cili realizoi një “perlë” nga goditja e dënimit duke e dërguar topin drejt e në trekëndësh.

Goli i tretë dhe i vulosjes së takimit, u shënua nga Filip Najdovski, i cili pas një ngatërrimi në zonë nga një harkim nga goditja e këndit, shënoi golin që i vendosi “kapakun” ndeshjes.

Me këtë fitore, Tirana i afrohet edhe më shumë titullit kampion, teksa renditet e para duke koleksionuar 66 pikë, +19 nga Laçi i vendit të dytë që kanë një ndeshje më shumë për të zhvilluar.

Ndërsa me këtë humbje Egnatia, mban pozicionin e 8 në renditje, vend që përkon me zonën “Play-Out” dhe duke grumbulluar 31 pikë.

Renditja e Superligë Abiznet 

FT | EGNATIA 0-3 TIRANA

Xhixha 1′, Hoxhallari 53′, Najdovski 73′

KOMENTI LIVE –

PËRFUNDON SFIDA!

90′ Nuk ka asnjë minutës shtesë!

88′ Egnatia kryen zëvendësim, teksa largohet Ilirid Ademi për t’i bërë vend Aleandro Dakës.

81′ Hoxhallari ndëshkohet me karton të verdhë pasi po vonohej për të dalë nga fusha e lojës dhe kapiteni i Tiranës humbet sfidën e ardhshme ndaj Kastriotit për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve.

81′ Tirana kryen sërish lëvizje teksa largohet autori i golit të dytë, Erjon Hoxhallari për Realf Zhivanajn.

73′ GOOOL TIRANA 0-3! Bardheblutë “hipotekojnë” fitoren, teksa Filip Najdovksi ka shënuar golin e tretë pas një ngatërrimi në zonë nga harkimi në zonë nga goditja e këndit.

71′ Tirana kryen dy lëvizje të tjera teksa largohet Ëngjëll Hoti dhe autori i golit të parë, Redon Xhixha për 18-vjeçarin Klevi Qefalian dhe Dijar Nikqi.

70′ Egnatia bën dy zëvendësime, ku largohen Demir Imeri dhe Artur Magani për Ndriçim Shtubinën dhe Dzon Delarzh.

65′ Egnatia rrezikshëm me Artur Maganin, i cili nuk ka goditur si duhet pas një gabimi në mbrotjen bardheblu dhe topi ka përfunduar çuditërisht jashtë.

62′ Tirana kryen dy zëvendësime teksa largohen Toshevski dhe De Silva për t’i bërë vend Ardit Tolit dhe Aldi Gjumsit.

60′ Ëngjëll Hoti ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrje në dëm të Ilir Allmuçës. Mesfushori i Tiranës do të humbasë sfidën e ardhshme ndaj Kastriotit pasi ka plotësuar numrin e kartonëve.

53′ GOOOL TIRANA 0-2! Dyfishohen shifrat në “Arena Egnatia”! Erjon Hoxhallari shënon një supergol nga goditja e dënimit drejt e në trekëndësh.

52′ Bruno Puja ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrje në dëm të Taulant Seferit.

50′ Demir Imeri provon portën me anë të një goditje dënimi, por topi shkon drejt e në duart e Visar Bekajt.

46′ Rrogozhinasit kryejnë menjëherë zëvendësim teksa largohet Besar Iseni dhe Franc Ymeralilaj për t’i bërë vend Skerdilajd Levendit dhe Bledar Lilës.

46′ Nis pjesa e dytë! Egnatia shkelmon topin e parë të fraksionit të dytë të lojës.

PËRFUNDON PJESA E PARË!

45+2 Tirana po shpërdoron disa raste teksa kishin shansin e dyfishimit të rezultatit.

45′ Arbitri i katërt, Orlando Kuka ka akorduar 4 minuta shtesë!

36′ Loja ka vijuar me Agbekpornu që vazhdon sfidën duke lënë pas shqetësimin që kishte.

35′ Moment pauze, mesfushori i Egnatias, Majkëll Agbekpornu është shtrirë në tokë pasi ka ndjerë një shqetësim.

26′ Në tentativë për të pritur topin e Demir Imerit, portieri i bardhebluve, Visar Bekaj është përplasur me shtyllën. Mjekët i japin ndihmën e parë, por Bekaj është ngritur dhe ka vazhduar lojën.

25′ Egnatia fare pranë golit teksa Demir Imeri provon goditjen në portë, ku dhe topi ka marrë një trajektrore ndryshe pas një devijimi duke u krijuar iluzionin e një goli.

20′ Bardheblutë provojnë skemën në goditjen e dënimit, por tentativa e Marsel Ismajlgecit përfundon shumë lart portës së Bruno Pujës.

14′ Egnatia po mundohet që të qarkullojë topin, por Tirana nuk ka përfituar nga disa gabime individuale nga qarkullimi i topit të rrogozhinasve.

7′ Loja ndalet për shkak të një përplasje të Enur Totres dhe Majkëll Agbekpornut. Të dy lojtarët marrin mjekimin e duhur dhe po vijojnë normalisht lojën.

4′ Xhixha shtrihet në tokë pas një shqetësimi, por më pas autori i golit në këtë duel ngrihet në këmbë për të vijuar lojën.

1′ GOOOL TIRANA 0-1! Zhbllokohet sfida, Redon Xhixha kalon në avantazh bardheblutë pas 24 sekondash, duke shënuar në afërsi të zonës dhe duke mposhtur Bruno Pujën.

1′ Starton sfida! Tirana shkelmon topin e parë të takimit.