Rrjedha mori para makinën, gjenden trupat e babë e bir në Malësi të Madhe

Pas shumë kërkimesh, janë gjetur trupat e pajetë të babë e bir në Malësinë e Madhe, pasi makina me të cilën udhëtonin e mori para rrjedha e përroit në Bogë.

Pas 16 orësh kërkime, trupat e tyre u gjetën në gjatësinë e përroit, në Bogë. Bëhet fjalë për shtetasit Pjetër Rushaj, 48 vjeç dhe Jason Rushaj, 18 vjeç. Fatmirësisht dje u arrit të shpëtohej vajza e familjes, falë dhe ndërhyrjes së një banori të zonës.

NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të informacion të dhënë mesditën e djeshme se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza), ju bëjmë me dije se:
Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir).