Rritja e çmimeve/ FMN propozon shkrirjen e Bordit të Transparencës: Të mbështeten shtresat në nevojë


Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga qeveria që të mbështesë familjet në nevojë, të cilat prej fillimit të këtij viti po përballen me valën në rritje të çmimeve.


Kjo sipas FMN-së nuk duhet bërë përmes Bordit të Transparencës që është ngritur për fiksimin e çmimeve, duke sugjeruar më tej shkrirjen e kësaj strukture.

“Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”, thuhet në deklaratë ku nënvijëzohet po ashtu edhe qëndrimi kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor.

Në përmbyllje të vizitës në vendin tonë, misioni i FMNsë ka propozuar po ashtu rishikimin gradual të tarifave të energjisë elektrike, përmes një skeme që mbron shtresat e varfra.

“Trazirat në tregjet energjetike globale kanë rënduar më tej barrën fiskale që vjen prej sektorit të energjisë elektrike dhe theksojnë nevojën urgjente për reforma vendimtare për t’i kthyer qëndrueshmërinë financiare ndërmarrjeve shtetërore. Përveç kësaj, nevojiten ndryshime graduale të tarifave, të cilat duhet të shoqërohen me masa që mbrojnë shtresat e varfra dhe në nevojë”. 

EKONOMIA 

Për vitin 2022, nisur nga treguesit aktual rritja ekonomike parashikohet të jetë rreth 3 për qind, e mbështetur nga turizmi dhe ndërtimi.

Inflacioni, vëren FMN është rritur ndjeshëm mbi objektivin prej 3 për qind të bankës qendrore dhe pritet të mbetet në nivele të larta gjatë muajve në vijim nxitur nga çmimet e importit përpara se të kthehet sërish brenda objektivit në fillim të vitit 2024.

“Ne e mbështesim vendimin e Bankës së Shqipërisë për të vijuar me normalizimin e politikës monetare dhe vëmë re se ajo mbetet lehtësuese, pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit në mars. Për të frenuar trysnitë e brendshme inflacioniste dhe për të kthyer pritshmëritë për inflacionin sërish drejt objektivit, nevojiten rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit”, thuhet në deklaratën e FMN-së.

TAKIMI ME SEJKON

Ndërkohë, sipas guvernatori Sejko, vendi po përballet me një goditje serioze që vjen nga rritja e çmimeve dhe nga shtrëngim i pritur i kushteve financiare, megjithatë ekonomia pritet të shënojë rritje në vitin 2022 e më tej, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat.

Në takimin e përbashkët të zhvilluar dje, guvernatori theksoi se politika monetare e Bankës së Shqipërisë pritet të fillojë një kurs gradual normalizimi, duke synuar kontrollin e presioneve afatmesme inflacioniste dhe kthimin sa më të shpejtë e me një kosto sa më të ulët të inflacionit në objektiv.