Një rrëfim shokues sot në media nga një burrë, baba i dy vajzave që përballet me akuza të rënda nga një prej tyre, ndërkohë që vetë ai, thekson se ka zbuluar një abuzim të shëmtuar në familjen e tij.
Aleksandër Veqo, thotë se është përfshirë në një kalvar të komplikuar. Bashkëshorten e tij thotë se e kapi me një dashnor të cilin e shoqja ia fshehu duke ia prezantuar herë si bojaxhi dhe herë si kushëri të largët.
Por ky është vetëm fillimi. Vajza e mitur, nën 15 vjeç, sipas të atit, është futur në një trafik prostitucioni ne një grup njerëzish të cilët e shfrytëzojnë atë.
Për më tepër, sipas Aleksandrit, në këtë aferë ndihmon dhe e shoqja e cila sipas tij e çon të bijën nëpër hotele, në dispozicion të grupit abuzues.
Aleksandri thotë se vajza 14 vjeçare e ka denoncuar për dhunë dhe përdhunim që sikurse ai këmbëngul, janë akuza të pabaza.
Nga ana tjetër babai 45 vjeçar thotë se ka zbuluar mori tekstesh, fotosh e videosh ku përfshihej e bija 14 vjeçare. Madje ia ka dhënë edhe policisë, por asnjë gjë nuk është bërë për të larguar të miturën nga prostitucioni.
Sipas babait, ky zbulim tronditës në familjen e tij është zbuluar më pak se një muaj më parë, por deri tani situata vazhdon të jetë pezull dhe vajza ende po shfrytëzohet.
Me dhimbje Aleksandri pohon se ndonëse vajzat i do të dyja njësoj, dëshiron të zgjedhë të voglën, 11 vjeçe që të jetojë me të ndërsa ka kryer ndarje me të shoqen. Ndërsa kërkon që vajza e madhe të çlirohet nga shfrytëzimi dhe të merret nga institucionet e shtetit për riedukim.
Aleksandri pohon se është ende i dashuruar me të shoqen ndonëse shton se nuk dëshiron ta ketë më në jetën e tij.
Në Top Channel ku u bë denoncimi i babait, e shoqja refuzoi të japë një qëndrim duke kërkuar edhe që Aleksandri nuk duhet të dilte sipas saj për të folur për këtë familje.