Rindërtohet shkolla e dëmtuar nga tërmeti në Kavajë, Veliaj: Ditë e mirë për arsimin


Shkolla e re 9-vjeçare “Shtodhër” në Helmës të Kavajë, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, është drejt përfundimit. Koordinatori politik Erion Veliaj bashkë me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali dhe Zv.ministrin e Infrastrukturës, Etjen Xhafajt inspektuan kantierin e ndërtimit në shkollën e re.

Veliaj tha se procesi i rindërtimit po vijon në gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, duke theksuar se po punohet me të njëjtin ritëm dhe cilësi, si në qendër ashtu dhe në periferi, për t’i ofruar çdo komuniteti shërbim sa më të mirë.

https://www.youtube.com/watch?v=33gnHNM6iZk&feature=emb_title

“Është një afat njëvjeçar nga tërmeti, ku kemi pasur ndoshta një nga vitet më dramatike të Shqipërisë. Do kujtohet përvjetori i tërmetit, jo me dhimbje, por tani me një ringritje, edhe me një rilindje të arsimit, sidomos në zonat periferike. Edhe fakti që çdo gjë po bëhet shumë herë më e mirë, t’i rezistojë jo vetëm tërmeteve, siç ishte shkolla dje, por fakti që shkolla është edhe më e fortë, edhe më cilësore, edhe më e aksesueshme, dhe fakti që po punohet njësoj si në qendër të Tiranës dhe në periferi të Tiranës, si në qendër të Kavajës edhe në periferi të Kavajës, si në komunitetet që mund të jenë dem babadem, ashtu edhe në komunitetet që mund të jenë populluar me të ardhur, e posaçërisht në ato komunitete ku edhe popullsia rome dhe egjiptiane të ketë të njëjtën cilësi, të njëjtin standard, siç kanë të gjitha shkollat e tjera të Shqipërisë”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi se procesi i ringritjes në Shqipëri pas tërmetit ka ecur edhe më shpejt se shumë vende të tjera edhe më të mëdha. “Edhe kryeministri ka qenë gjithë kohën i preokupuar dhe me merak, a do arrijmë dot brenda afatit që disa nga këto punë të shpërndahen në qindra kantiere, në gjithë territorin e prekur nga tërmeti, do të mbaronin në afat; sot mund të themi që po. Edhe fakti që shkollat edhe në periferi po mbarojnë në afat dhe me të njëjtën cilësi, është një moment krenarie. Edhe vërtet tërmeti na rrëzoi, por fakti që u ngritëm shpejt, ndoshta edhe më shpejt se shumë vende të tjera që janë më të zhvilluara dhe kanë më shumë pasuri, por prej burokracisë ju ka marrë vite rimëkëmbja; na bën të ndihemi vërtet mirë, edhe besojmë që më e mira është akoma përpara”, deklaroi Koordinatori politik i Kavajës, Erion Veliaj./Bw