Deputetja Jorida Tabaku, në një status në Facebook përkujton viktimat e regjimeve totalitare.
Tabaku shprehet se 23 gushti nuk mund të mbetet thjesht një datë përkujtimore në kalendarin e një vendi si Shqipëria.
23 Gushti si reflektim dhe pendesë!
Dita e përkujtimit te viktimave të regjimeve totalitare (komunizëm dhe nazizmi) nuk mund të mbetet thjesht një datë përkujtimore në kalendarin e një vendi si Shqipëria. Që për gati 50 vjet u rrënua në të gjithë dimensionet e saj nga një prej diktaturave më të egra komuniste. Për nga numri i viktimave, të të internuarve dhe atyre që u persekutuan në raport me popullsinë, shqiptarët përjetuan terrorin e ngjashëm me stalinizmin, ku vuajtjet dhe terrorit nuk i shpëtuan as ata që fizikisht nuk ishin në burgje apo internime. Dhe është e qartë që një shoqëri e mbrujtur për dekada me terror ka nevojë për pendesë dhe reflektim për t’iu rikthyer vlerave të një shoqërie të zhvilluar që jeton me respekt të tashmen dhe ndërton me themele të forta të ardhmen për brezat që vijnë.
Por a ja kemi dalë ne të gjithë të kalojmë këtë sfidë? Për fat të keq na duhet ta pranojmë se megjithëse kanë kaluar 3 dekada nga rënia e komunizmit ende e shkuara jonë përdridhet dhe na del përpara nesh. Ajo shpërfaqet në forma të ndryshme, diku ajo na del në mes të ditës në formën e një protreti në një ditë përkujtimore të njëanshme, më tej shfaqet si arrogancë ndaj dhimbjes dhe përvuajtjes së atyre që u dergjen burgjeve, internimeve apo diktatit të njollës në biografi.
Shqipëria komuniste, një vend që vrau deri dhe Zotin (me të sajën) ishte një skëterrë që nuk mund dhe nuk duhet harruar. Për sa kohë ne i kthejmë shpinën asaj aq më shpesh dhe aq më shumë ajo përballet me ne duke na dalë përpara.
59 mijë shqiptarë të internuar në kampe të tmerrshme pune dhe në Gulagët e modelit sovjetikë janë historia e gjallë dhe e prekshme që edhe pse shumëkush mendon që do të harrohet ajo rron.
34 mijë shqiptarë të dënuar në burgjet e komunizmit shumicën e historive të tyre ka mbetur e heshtur në skëterrën e dhimbjes.
6027 shqiptarë të vrarë dhe pushkatuar nga regjimi komunist në 5 dekada të qeverisjes prej tij.
308 shqiptarë u dëmtuan mendërisht në burgjet e regjimit komunist duke kaluar në çmendi të plotë apo dhe duke u eksperimentuar me to.
984 shqiptarë vdiqën brenda në ato burgje të vrarë në tentativë për arratisje apo dhunuar mizorisht nga regjimi.
Por të gjitha sa më lart mund të mbeten thjesht evidenca statistikore nëse nuk ja dalim t’i ngulisim në mendje më të rinjve se shifrat jane jetë te ndërprera dhe jo statistika. Janë jetë të shkatërruara të qytetarëve të pafajshëm. Që thjesht mendonin ndryshe dhe për këtë paguan një faturë të lartë. Kjo është tragjedia jonë kombëtare për të cilën duhet të flasim sa më shpesh. Ta kujtojmë me sa më shumë vërtetësi për t’i kujtuar vetes, bashkëqytetarëve por sidomos më të rinjve se ky komb ka kaluar përmes një diktature. Gjurmët e së cilës janë ende prezente dhe shërimi mund të vijë veç nga e vërteta dhe perballja me të pa kompromise.
Ka shumë rrugë për të arritur deri këtu. Dhe një nga to është nevoja e një muzeu kujtese pikërisht në ato vende ku kanë vuajtur dhe janë persekutuar mbi 34 mijë shqiptarë. Sepse një nga mënyrat për të gjetur paqe nga dhimbja që të ka shkaktuar një sistem gjakatar është të mësosh nga e shkuara që ajo mos të përsëritet në forma të tjera, më të sofistikuara por që kanë te njëjtin qëllim.
Ngritja e muzeve të tillë është hap i rëndësishëm për të kujtuar dhe mësuar më të rinjve dhe mënyrat se si një shtet diktatorial arriti të mposhtë dhe të mbajë të burgosur një popull të tërë. Dhe mënyrat ishin të shumta. Shteti totalitar komunist kishte ndërtuar një rrjet të sofistikuar informatorësh dhe një agjenci kriminale si Sigurimi i Shtetit që të menaxhonte jetën e njeriut të ri. Kjo strukturë ishte hallka kryesore e mekanzimit mbi të cilin funksiononte makineria shteterore e diktaturës komuniste. Ndaj sot është esenciale që shqiptarët të kenë një libër të hapur me dosje të hapura për të gjithë qytetarët. Më mirë vonë se kurrë thotë një fjalë e urtë- dhe kjo jo si shenjë hakmarrje ndaj atyre që kanë qene pjese e kesaj hallke djallezore dhe gjakatare por si një përgjegjësi qytetare ndaj atyre që kanë mbi shpinë përgjegjësinë për vrasjen, burgosjen dhe internimet për mijra shqiptarë të pafajshëm.
Regjimet Totalitare i kthyen njerëzit në krijesa pa ndërgjegje, siç na mëson dhe Arendt, por ka ardhur koha që Shqipëria të përballet me këtë të vërtetë duke mësuar nga gabimet e saj. Nuk mund të qëndrojmë pengu i frikës ndaj të shkuarës, as hijeve që e përndjekin atë nga pas për të frenuar të ardhmen.
Vetëm kështu, një shoqëri e shëndetshme mund të kërkojë lustracionin e vendit nga një epokë e shoqëruar me përzierjen që nuk bëri vetëm se zgjati pafund tranzicionin. Prandaj Lustracioni i kryer siç duhet është rruga që një shoqëri e shëndoshë duhet të përballet me të tashmen dhe të ndërtojë të ardhmen.
Oferta që Partia Demokratike përmes grupit të PD në kuvend ka dorëzuar që në fillimet e Gushtit është ajo që mundëson pikërisht të kujtuarit të së djeshmes, të reflektuarit mbi të dhe të pastrimit si një metodë për të hedhur tej tranzicionin.
Nuk mund të lë pa përmendur një leksion të qartë nga besimet Abrahamike ku historia e Hebrenjve që dolën nga Faraoni u shoqërua me 40 vite në shkretëtirë si shenjë e një pastrimi të thellë nga totalitarizmi dhe idolatria e Egjiptit faraonik. Ka ardhur koha që ne të hyjmë në tokën e premtuar duke i dhënë fund tranzicionit dhe duke u pastruar shpirtërisht përmes kujesës, reflektimit dhe pendesës.
Asnjë shoqëri nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka guximin të kujtojë, reflektojë dhe pendohet. Ka ardhur koha të dëshmojmë para fëmijëve tanë se kemi vullnetin ta çojme këtë reflektim dhe pendim një hap më larg.
📷 Pjesë nga burgu i Spaçit propozuar nga grupi Parlamentar i PD për t’u kthyer në një nga muzetë e Kujtesës!