Reforma Territoriale/ Zbulohen 3 bashkitë e reja që do kërkojë opozita! Dhurata Çupi tregon çfarë synon PD: Rajonet temë e hapur

KELMENT BAÇI/ Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, ka deklaruar se PD do të kërkojë rritjen e numrit të bashkive, nga 61 në 80 në ndryshimet e paketës ligjore dhe hartës territoriale që pritet t’i propozohet Kuvendit përpara 30 shtatorit.

Në një prononcim për gazetën “Panorama”, bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, shprehet se reforma e 2014 rezultoi e dështuar, pasi qytetarëve iu largua më shumë shërbimi publik, ndërsa financat e institucioneve të qeverisjes vendore u përkeqësuan me rritje të borxheve për shkak të përdorimit të tyre për punësime elektorale.

“Ekspertët e Partisë Demokratike kanë punuar intensivisht për të realizuar një projekt të paketës ligjore dhe të hartës territoriale. Po ne kemi një variant që do t’ua ofrojmë qytetarëve. Ne jemi për rreth 80 njësi të qeverisjes vendore. Vendet e rajonit dhe më gjerë i kanë të konceptuara njësitë e qeverisjes vendore si bashki. Njësi të qeverisjes vendore plotësisht urbane, njësi urbane dhe rurale dhe njësi plotësisht rurale për shkak të funksioneve që kanë. Ne do mundohemi t’u japim shqiptarëve rreth 80 njësi të qeverisjes vendore, por ne kemi shumë kërkesa për rishikim kufijsh të disa prej tyre”, tha Çup.

Ajo pranoi se brenda Partisë Demokratike ka një ngërç që lidhet me përfaqësimin e opozitës në këtë komision, po u shpreh se propozimi do të jetë unifikues dhe në interes të qytetarëve.

Sipas Çupit, “Në vitin 2014 maxhoranca nuk dëgjoi propozimet e opozitës dhe bëri fakt një reformë me efekte të pastra elektorale dhe që nuk ishte në shërbim të qytetarëve. Ekspertët tanë po përgatisin një material final të plotë dhe detajuar dhe besoj që të gjitha palët e opozitës do ta mbështesin këtë propozim që do të jetë më i miri për interesat e qytetarëve shqiptarë”.

BASHKITË E REJA

Bashkëkryetarja e Komisionit Parlamentar të Reformës ka zbuluar për gazetën “Panorama” tre emrat e parë të bashkive të reja që do të propozojë PD si Orikumi, Leskoviku dhe rajoni i Dukagjinit. “Leskoviku është një prej modeleve konkrete. Leskoviku me Kolonjën janë 50 km, një qytetari i duhet 100 km për ta bërë rrugën. Bashkia e Orikumit sot është pjesë e Bashkisë Vlorë, por të gjitha të dhënat e tregojnë si shumë të rëndësishme dhe mund të jetë një bashki më vete. Ne nuk mund të zhbëjmë në asnjë mënyrë traditën dhe historinë në zonën e Dukagjinit. Ne do t’i sugjerojmë si njësi të qeverisjes vendore të veçuar me zonën përreth për shkak të tipologjisë, historisë, relievit etj. Këto shembuj tregojnë seriozitetin dhe detajet, me të cilin ne jemi përqendruar për të bërë këtë reformë”, u shpreh Çupi.

RAJONET

Teksa foli për qarqet, bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës AdministrativoTerritoriale thotë se ndarja e vendit në rajone apo fuqizimi i qarqeve do të varet nga qasja për një dakordësi politike mes palëve.

Qarqet kanë rëndësinë e tyre për shkak se janë organe kushtetuese e në duhet t’u jepnim rëndësinë dhe autoritetin e duhur. Rëndësinë që u jep Kushtetuta nuk e kanë pasur asnjëherë dhe vazhdojnë të mos e kenë. Ka një qasje që mes qarqeve dhe rajoneve të zgjidhet rajoni dhe të kemi një rajonalizim të Shqipërisë. Unë besoj që të gjitha palët do të jemi dakord këtu për sa i përket numrit të qarqeve apo rajoneve. Kjo është e lidhur edhe me punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Unë besoj që me një punë, qasje të përbashkët dhe me një dakordësi politike të arrijmë që t’i japim fuqinë që u jep Kushtetuta qarqeve apo të shtojmë rajonet apo të heqim qarqet dhe të kemi vetëm rajonet”, sqaroi deputetja e PD-së.

ZGJEDHJET E 2023

E pyetur nëse zgjedhjet e ardhshme lokale të 2023 do të mbahen mbi bazën e ndryshimeve ligjore që pritet t’i dërgohen Kuvendit përpara 30 shtatorit, Çupi u shpreh se kjo është në kompetencë të Presidentit, por ato të jenë gati brenda afateve kushtetuese për dekretimin e datës së zgjedhjeve nga ana e kreut të shtetit.

“Kjo, për shkak se Kodi Zgjedhor parashikon që Presidenti duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale 6 muaj përpara, që i takon muaji tetor. Deri në fund të shtatorit, ne menduam që mund të bënim një propozim final për paketën ligjore dhe hartës që do ta shoqërojë këtë paketë. Presidenti do të ketë të gjithë mundësin që në tetor të shpallë datën e zgjedhjeve me reformën e re. Ky ishte edhe qëllimi, për të cilin u ngrit komisioni dhe këtu besoj që nuk duhet të ketë asnjë dilemë apo diskutim. Zgjedhjet e ardhshme duhet të bëhen me reformën e re territoriale-administrative, e cila nga ana e saj duhet të miratohet me dakordësinë e opozitës që kjo të jetë e suksesshme. Nëse nuk do të kemi dakordësi me Partinë Socialiste, unë mendoj që është në të keqe të vendit dhe qytetarët shqiptarë. Pa dobi publike nuk ia vlen të ketë asnjë reformë të miratuar nga njëra palë”. Panorama.al