Vangjel Tavo, ish deputet i LSI, aktualisht prefekt i Vlorës është kandidat nga Partia Socialiste për zgjedhjet e 4 gushtit që do të mbahen në Bashkinë e Himarës.
Kryesia e PS e mbledhur sot caktoi Vangjel Tavon si kandidat në Himarë, pasi qeveria e dërgoi prej pak muajsh si Prefekt i qarkut Vlorë.
Kryesia shtyn ndërkaq me një javë mbajtjen e Kongresit të partisë, që ishte parashikuar të zhvillohej më 20 korrik.
“Vangjel Tavo vjen si një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine. Garat elektorale e kanë përgatitur atë që të jetë përfaqësues i atij komuniteti. 4 gushti është shumë afër. Do të kemi një garë të qetë elektorale”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.
Zgjedhjet në Himarë vijnë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg të Fredi Belerit që kishte fituar zgjedhjet në Himarë më 14 maj 2023. Fill më pas KQZ zhvilloi një seancë ky mandati i tij u shpall i pavlefshëm dhe me vakancën e krijuar.
Brenda pak minutave Kryeministria i kërkoi Presidentit të shpallte ditën e zgjedhjeve. Presidenti Bajram Begaj shpalli 4 gushtin si datë për zgjedhjet pak minuta pas marrjes së letrës nga kryeministria pa pritur afatin e ankimimit.
Pak ditë më parë qeveria inaguroi tynelin e Llogarasë, vepër që pritet të ndikojë në rezultat të zgjedhjeve ndërkohë që kodi zgjedhor ndalon inagurime të tilla para zgjedhjeve. Ndërsa prej disa javësh kandidati i zgjedhur dhe kryeministri shpërndajnë tapi tokash në Himarë.