Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk ka asnjë plan për të luftuar pandeminë. Duke folur për media, Basha tha se nuk do ta bënte kurrë që të përdorte këtë situatë të vështirë për kundërshtarin politik, por sipas tij, pandemia nuk mposhtet dot pa një plan.
Sipas tij, qeveria duhet të hapë urgjentisht spitalet rajonale për t’i vënë në funksion të pandemisë së Covid-19, si dhe të bëjë një numër të saktë testimesh, në raport me infektimet.
“Është e qartë që Rama ka dështuar me planin e pandemisë. Pa plan nuk e lufton dot pandeminë dhe nuk e mposht dot pandeminë për të shpëtuar jetë njerëzish. Kjo ka qenë thirrja ime, një plan serioz për pandeminë, që nis me një numër të saktë testimesh, me pajisjen e spitaleve me pajisje, mjekë e infermierë. Nuk ka zgjidhje tjetër, përvec vënies së spitaleve rajonale në funksion të kësaj beteje. Nëse spitalet rajonale do të ishin përgatitur nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi, që jemi sot. Ne jemi të gjithë dëshmitarë të fatkeqësisë. Është e domosdoshme të veprohet urgjentisht me një plan dhe jo kuturu. Pandemia nuk luftohet pa plan. Dje kryeministri tha se shkollat nuk janë vatra, sot u vendos mbyllja e pjesshme e tyre. Duhet një qeveri e përgjegjshme, që lë gjithçka për të luftuar pandeminë. Mirëpres cdo lloj reflektimi. S’më shkon mendja kurrë që këto momente të vështira të kem parasysh kundërshtarin politik. Sa jetë do ishin shpëtuar, nëse do ishin marrë masa. Qeveria dhe Edi Rama nuk kanë plan, dhe pikërisht kjo më shqetëson sot”, tha Basha.
KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME GAZETARËT
Kryetari i PD, Lulzim Basha, pas takimit me kryetarin e Komunës së Dibrës së Madhe, Hekuran Duka, iu përgjigj interesit të gazetarëve për vendimin e qeverisë mbylljen e shkollave dhe zhvillimin e mësimit të kombinuar me mësimin online.
Pyetje: Manastirliu, i rekomandoi Ministrisë së Arsimit që prej datës 1 dhjetor të nis mësimi i kombinuar në klasë dhe online. Në fakt kjo deklaratë bie pak ndesh me atë çfarë shprehu më herët Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe kryeministri Rama, që shkollat nuk janë vatra infeksioni për përhapjen e COVId-19, si e shikoni ju këtë masë, është e vonuar dhe çfarë duhet bërë më tepër?
Lulzim Basha: Unë dua t’ju them vetëm kaq. Ditën e djeshme, Rama deklaroi se shkollat nuk janë vatra infeksioni, nuk janë vatra të nxehta infeksioni. Edhe vetëm sot ka deklaruar mbylljen e pjesëshme të shkollave. Për këdo që e ka dëgjuar këto dy deklarata në më pak se 24 orë, është e qartë që Rama ka dështuar me kontrollin ndaj pandemisë. Sepse tregon që nuk ka plan. Çfarë thotë sot, nuk thotë nesër. Çfarë tha dje, nuk thotë sot. Dhe pa plan nuk e luftojmë dot pandeminë. Nuk e luftojmë dot pandeminë dhe nuk e fitojmë dot betejën për të mposhtur pandeminë dhe për të shpëtuar jetë njerëzish me vendime kuturu. Kjo siç e dini ka qenë edhe shqetësimi kryesor dhe thirrja ime kryesore dhe vazhdon të mbetet preukopimi im kryesor. Një plan solid për luftën kundër pandemisë fillon me një numër serioz testimesh dhe ju të gjithë e dini, veçanarisht gazetarët që mbulojnë këtë fushë, që numri i testimeve duhet të jetë gjithmonë dhjetëfishi i infektimeve. Në qoftë se ke pasur 700 të infektuar, të nesërmen do të kesh 7000 testime. Pas kësaj vjen procesi i akomodimit të atyre që pritet të përfundojnë në spitale. 10% e të infektuarve për një javë përfundojnë në spitale. Do të thotë paisja e spitaleve jo thjesht me shtretër, se nuk janë hotele, por me paisjet e mjaftueshme, të oksigjenimit, me mjekët, me infermierët. Dhe ju e dini se shumica dërmuese e ekspertëve dhe e specialistëve e kanë thënë fare qartë, nuk ka zgjidhje tjetër përveç asaj që kemi 6 muaj që i kërkojmë, vënien e spitaleve rajonale në funksion të kësaj beteje. Nëse do të ishin dëgjuar propozimet tona para 6 muajsh, nëse spitalet rajonale do ishin përgatitur, nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi ku ndodhemi sot, ku tani përveç mos kryerjes së testimeve dhe mos përgatitjes së spitaleve, për të fshehur dështimin, kemi arritur deri tek manipulimi dhe fshehja e numrit të viktimave. Kjo nuk e fsheh fatkeqësinë. Ne jemi të gjithë dëshmitar të fatkeqësisë, mjafton të hapësh rrjetet sociale dhe të shikosh numrin e të sëmurëve apo të atyre që fatkeqësisht ndahen nga jeta. Mjafton të ecësh rrugve të Shqipërisë të shikosh njerëzit janë bërë për të fol me veten. Ose nga sëmundja, ose nga pamundësia ekonomike që ka sjell. Prandaj po them, edhe një herë është e domosdoshme të veprohet urgjentisht me një plan dhe jo kuturu. Pandemia nuk mundet pa plan duke thënë një gjë sot e një gjë nesër. Dje i njëjti person, kryeministri deklaroi se shkollat nuk janë vatra të nxehta infeksioni, sot urdhërohet mbyllja e pjesëshme. Kjo tregon një mungesë totale plani. Kjo tregon një mungesë totale përkushtimi dhe aftësie për t’u përballur me krizën. Duhet një qeveri e përgjegjshme e cila lë gjithçka tjetër, gjithçka tjetër është sekondare, sot jeta, shëndeti dhe ekonomia e shqiptarëve është prioritare. Ju faleminderit!
Pyetje: Zoti Basha, nuk mund ta shohim edhe në aspektin e reflektimit. Pra, kur ju e denonconi, mund të ketë dhe reflektim në anën tjetër.
Lulzim Basha: E mirëpres çdo lloj reflektimi, po unë nuk jam këtu për të marrë meritat se reflektoi apo s’reflektoi. Roli im kryesor sot si opozitë, si kryetar i opozitës, është të bëj gjithçka për të kursyer jetë njerëzish. Që mund të kursehen në qoftë se merren vendimet e duhura në kohën e duhur. Për të kursyer shëndetin e njerëzve, që mund të kursehet nëse merren vendimet e duhura në kohën e duhur. Kjo më preokupon. Nuk më preokupon asgjë tjetër përveç kësaj.
Pyetje: Pra, ju e shikoni se një gjë jo normale që të mbyllen?
Lulzim Basha: Unë nuk marrë përsipër të bëj komente që i takojnë vetëm ekspertëve. Por marrë përsipër t’ju them atë që është detyra ime dhe që është detyra e kryeministrit. Të thuash një gjë sot dhe një gjë nesër, tregon që s’ke plan. Dje tha shkollat nuk janë vatra infeksioni, nuk ka pse mbyllen , sot urdhëron mbylljen e pjesëshme të shkollave. Ky aspekt është i rëndësishëm për të kuptuar që nuk ka plan dhe pandemia nuk luftohet pa plan. Dhe A-ja e planit janë testimet. B-ja e planit është paisja e sistemit me mjekë, me infermier të trajnuar dhe paisjen, diagnostifikimi dhe trajtimi i pacientëve. Këtu përfshihet edhe futja në betejë e mjekut të familjes, edhe e spitaleve rajonale. Pjesa tjetër ka të bëjë me ekonominë. Siç ju thash njerëzit janë bërë të flasin me vete për shkak të shpenzimve të larta për pacientët, për të afërmit e tyre, por edhe për shkak të rritjes së kostos së jetës, të çmimeve të papërballueshme, të ushqimeve, të ilaçeve, ndërkohë që kanë humbur vendin e punës. Dhe kjo as nuk mund të luftohet, as nuk mund të trajtohet me masa gjysmake apo masa të marra kuturu. A është pjesë e një plani kjo? Nëse po, na tregoni planin. Nëse jo, atëherë një orë e më parë zotërinj, merrni përgjegjësitë e detyrës që keni e për sa kohë e keni para shqiptarëve. Kjo ka qenë thirrja ime ndaj qeverisë, kjo ka qenë thirrja ime ndaj kryeministrit. Dhe nuk e kam bërë aspak, nuk më shkon mendja kurrë që në këto momente të vështira ta bëj duke pasur parasysh kundërshtarin politik. Por kam pasur parasysh njeriun që dua s’dua unë, sot merr vendime për shqiptarët. Dhe në këtë frymë ja kam ofruar prej marsit sugjerimet, planet konkrete, të ekspertëve më të mirë të shëndetësisë dhe të ekonomisë. E keni parë që refuzimi dhe tallja kanë qenë përgjigjja e vetme. Ja ku jemi sot, fitoi njeri nga kjo? Ku do të ishim nëse do na e kishte vënë veshin? Sa jetë do ishin shpëtuar në qoftë se do ishin marrë masat që kemi këshilluar, në qoftë se çdo shpenzim tjetër do ishte ndalur dhe paratë do ishin përdorur pikërisht për këto tre prioritete kryesore. Kjo është ajo që më preokupon dhe kjo është ajo që tregon edhe veprimi i sotëm, qeveria dhe Edi Rama nuk kanë plan, janë pa plan. Dhe pa plan, nuk mund të përballemi me pandeminë.
Ju faleminderit!