Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punën që po kryhet në kantieret e Rindërtimit në Kavajë.
“Në një nga kantierët e Rindërtimit, ku pasi është ndërtuar infrastruktura, ka nisur ndërtimi i kompleksit të ri të godinave të banimit me 135 apartamente, parkime nëntokësore e njësi shërbimi”, tha Rama.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se tashmë ka përfunduar infrastruktura shoqëruese dhe ka nisur ndërtimi i pallateve.
Sipas tij, janë 2 zona në Kavajë ku do të ndërtohen banesat kolektiva. Në zonën e parë do të ndërtohen 4 pallate dhe do të kenë 135 apartamente, ndërsa në zonën tjetër do të ndërtohen edhe 120 apartamente të tjera. Po ashtu, do të ndërtohen edhe 2 pallate me 40 apartamente të tjera.
Gjithsej në Kavajë, tha Ahmetaj, do të ndërtohen 300 apartamente për familjet të cilat e humbën shtëpinë e tyre pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019. Sipas kreut të bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, apartamentet pritet të përfundojnë brenda 7 muajsh.