Në reagimin e parë për mediat pas largimit nga kabineti qeveritar, Arben Ahmetaj foli jashtë dyerve te parlamentit ekskluzivisht për Vizion Plus, duke iu përgjigjur interesimit te gazetares Enkelejda Mema për çështje të rëndësishme, si akuzat e opozitës për përfshirje në aferën e Inceneratorëve apo edhe çështje te tjera politike qe lidhen me angazhimin e tij ne parti dhe qeveri.
Vendimin e kryesisë së Partisë Socialiste për t’i hequr së fundmi edhe drejtimin politik të qarkut të Vlorës, Arben Ahmetaj thotë se e priti me kënaqësi.
Madje largimin e radhës edhe nga detyra drejtuese brenda partisë, pasi në korrik u shkarkua nga zëvendëskryeministër dhe ministër shteti për rindërtimin, Arben Ahmetaj thotë se është proces i zakonshëm riorganizimi.
“Me shumë kënaqësi. Riorganizimi është normal, ndodh shpesh, ka ndodhur, do të ndodhi, nuk ka ndonjë gjë të re”- ka thënë ai.
I pyetur nga gazetarja, nëse zhveshja e tij nga çdo funksion qeveritar dhe partiak nënkupton një distancim të mazhorancës qeverisëse, Arben Ahmetaj tha se ai dhe Partia Socialiste janë një.
“Unë dhe Partia Socialiste dhe të gjithë kolegët jemi një. Këto janë vetëm telenovela, por si duket nuk ka lajme, ka nga këto lajme kështu, që nuk e ngrehin dhe ndoshta ju kërkoni këto lajmet e vogla që ndoshta e ngrehin, shton Ahmetaj”- shton Ahmetaj.
Në intervistën për Vizion Plus, ish numri dy i qeverisë e përjashtoi mundësinë se mos mbajtja e asnjë detyre kryesore lidhet me aferën korruptive të inceneratorëve.
“Çfarë lidhje kam unë me inceneratorët. Ato janë vepra në ndërtim, çfarë kë ketë lidhje, më thuaj si e lidh ti?”- tha ai.
Gazetarja: Për aq kohë sa LSI dhe Partia Demokratike në akuzat e tyre ju kanë përmendur emrin tuaj.
“Emrin, kanë përmendur edhe tëndin, edhe të të gjithëve. Unë nuk dua t’ia di se kush e përmend emrin tim, nuk është se më emocionon ndonjë gjë. Është çështje që është në diskutim në institucionet përkatëse. Ju doni të bashkoni pika që nuk ekzistojnë”, përfundoi Ahmetaj.
Ish ministër i Financave dhe Ekonomisë, më pas njeriut që iu besua Rindërtimi dhe numri dy i qeverisë, sot Arben Ahmetaj është një deputet i thjeshtë.