Partia Socialiste shkarkoi kryetarët në 61 degët e saj në vend dhe do të bëjë rizgjedhjen e tyre. Kërkesa e tyre për ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të degëve, arsyetohet nga Partia Socialiste për t’i hapur rrugë implementimit të ndryshimeve në organizimin e strukturës së drejtimit në nivel bashkie.
Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese do të zhvillohet në periudhën 1 Maj -15 Qershor 2022.
Pikërisht brenda kësaj periudhe do të mbahen edhe zgjedhjet për kryetarin e PS në Kavajë.
Burime për Kavaja.Net bëjnë me dije se ka nisur puna për procesin e zgjedhjeve ndërsa ende nuk ka një emër konkret që do garojë.
“Me vendim të kryesisë së Partisë dhe Asamblesë Kombëtare, Kongresi i Partisë vendosi: Të ndërpres mandatin 4 vjeçar të kryetare aktual të partisë të bashkive. Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese do të zhvillohet në periudhën 1 Maj -15 Qershor 2022. Kryetarët aktual të partisë së bashkive do të ushtrojnë detyrën deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, degëve të PS do i shtohet edhe posti i sekretarit Ekzekutiv.
Por, si do zgjidhen kryetarët e rinj të degëve dhe Sekretari Ekzekutiv?
Në nenin 26 të statutit të PS përcaktohet mënyra se si do të zgjidhen kryetarët e rinj të degëve, të cilët kanë një mandat 4-vjeçar, ku thuhet se kryetari i partisë së bashkisë përzgjidhet mes kandidatëve të propozuar nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste.
Po ashtu, theksohet se mandati i kryetarit ndërpritet kur ai jep dorëheqjen dhe kur shkarkohet nga Kryesia e partisë.
“Kryetari i partisë i bashkisë përzgjidhet mes kandidatëve të propozuar nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të bashkisë dhe me miratimin e Kryesisë sipas procedurës së përcaktuar në Librin e rregullave. Mandati i kryetarit të partisë të bashkisë është, si rregull, katër vjet. Ai ndërpritet para kohe kur kryetari i partisë i baskisë: Jep dorëheqjen, ose kur shkarkohet nga Kryesia e Partisë për dobësi në punë e shkelje të normave të Statutit dhe etikës”, thuhet në nen.