Ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje projektin e rrugës Qukës-Qafë Plloç, e cila ka nisur para 13 vitesh, por që nuk ka përfunduar ende dhe me gjasë nuk do të përfundojë këtë vit.
Në konferencën e përjavshme për mediat, kreu i selisë blu akuzoi Kryeministrin Rama dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, që sipas tij kanë më shumë se trefishuar kostot e investimit. Por, më e keqja, sipas Berishës, është fakti se sipas tij në bashkimin midis dy loteve të aksit ka një nivel prej 17 metrash dhe kjo sipas tij është bërë në mënyrë të qëllimtë për të marrë edhe më shumë para.
“Nga 73 milionë euro që ishte fondi, me të cilën u prokurua, deri ditën e sotme janë shpenzuar për ndërtim e saj 225 milionë euro. Një rrugë që kalon në një territor jo të vështirë, të jemi realistë, të pjerrët, por jo të vështirë. Pa vepra madhore arti, tunele apo ura të gjata, apo akuadokte të gjata. Është, pra, mbi trefishuar çmimi deri sot. Por kjo nuk mjafton. Zhvillimi i fundit në këtë rrugë është ky, në Trebinë të Mokrrës, lotet që ndërtoheshin në drejtim të njëri-tjetrit na dalin në një disnivel 17 metra. Tani ju duhet të dini që në rrugë që ndërtohen mbi sipërfaqen e tokës, kjo ndodh vetëm me qëllim, nuk mund të ndodhë kurrë pa dashje.
Projekti i rrugës shqyrtohet në çdo detaj nga Ministria e Punëve Publike, respektivisht Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ka grupin e inxhinierëve që shqyrton në çdo detaj. Dhe duhet të dini që projektet kushtojnë 5 deri në 6 për qind të të gjithë kostos së objektit dhe ka një supervizor që e detyron kompaninë t’i përmbahet rigorozisht projektit të paraqitur, ose në rast se lindin problem çdo ndryshim i projektit miratohet nga institucioni që ndërton rrugën. Kjo nuk ka ndodh. Ky është disnivel i krijuar me qëllim që të plaçkiten më tej taksapaguesit shqiptarë. Dhe, pikërisht 10 ditë më parë Edi Rama njoftoi se janë marrë 50 milion euro të tjera borxh, praktikisht për vazhdimin e kësaj rruge”, tha Berisha.
ÇMIMI I NAFTËS
Ish-Kryeministri u ndal edhe te situata e çmimit të naftës në Shqipëri. Sipas tij, vendi ynë ka çmimin më të lartë në rajon dhe në BE të karburantit për dy arsye. E para, sipas tij, është niveli i lartë i taksave dhe e dyta, Berisha akuzoi bordin se po shërben për pasurimin e klientëve të qeverisë.
“Ka disa ditë që nafta në bursë është poshtë çmimit që ka pasur para luftës në Ukrainë, dhe kjo jo rastësisht, sepse Presidenti Joe Biden urdhëroi hapjen e rezervave të naftës në SHBA dhe ata nxjerrin tani çdo ditë 600 mijë fuqi në treg. Ky është një akt jashtëzakonisht i dobishëm. Nga rritja e çmimit të naftës po e pësonin njerëzit e thjeshtë dhe jo makineria e luftës së Putin. Po pësonin njerëzit e thjeshtë dhe po pasurohej klientela e Ramës bashkë me të. E kam deklaruar dhe e deklaroj se përgjysmimi i akcizës së naftës do të jetë një nga masat më të para që do të marrë qeveria e ardhshme. Subvencioni i plotë i të gjitha biletave të transportit urban dhe interurban. Sot ky bord që mbron interesat e Ramës dhe klientelës së tij, cakton një çmim të paktën 50% më të lartë sesa çmimi që duhet të jetë në proporcion me bursën”, u shpreh ish-Kryeministri.
PROTESTAT DHE QEVERIA TEKNIKE
Mosreagimit të qeverisë ndaj skandaleve, Berisha tha se populli do t’i përgjigjet me protesta të forta në këtë vjeshtë. Teza e opozitës tha Berisha duke iu referuar bashkëpunimit me Ilir Metën është largimi i qeverisë së Edi Ramës.
Ne nuk kemi diskutuar, por teza jonë është kjo; që Edi Rama duhet të largohet një ditë e më parë. Pas largimit të kësaj qeverie, natyrisht detyra më themelore është përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. A do të ngarkohet një qeveri teknike, apo ad-hoc për të përgatitur zgjedhjet, kjo është në dorën e forcave politike, por largimi i Ramës është një imperativë absolut.
Vjeshta do të jetë një pranverë e dytë e demokracisë. Do të shndërrohet në pranverën e protestave të demokracisë. Nuk mund të shkohet më tutje kështu. Ai kryen akte që nuk ka qeveri në botë që i kryen ato. Ai vazhdon aferën me djegësit sikur i ka pronën e Surrelit. Qytetarët do ta thotë fjalën e tyre. Ka humbur çdo lloj sensi me realitetin. Del e thotë se do të ndërtojmë Korridorin Blu me 900 milionë euro, paçka se ka disa akse rrugësh që po u del shpirti njerëzve. Tiranë-Durrës, duhet dyfishi i kohës, mos të themi për Lezhë-Shkodër, apo Fushë-Krujë-Thumanë. Na duhet Korridori Blu sepse aty vjedhim me valixhe. Ky regjim do të ikë”, tha Berisha, ndërsa shtoi se paralelisht do të ketë edhe përgatitje për zgjedhjet lokale ku sqaroi se i qëndron idesë për të shkuar në zgjedhje me koalicion, por që sipas tij kandidatët zgjidhen me primare. “PD në këto zgjedhje sjell risinë më të madhe në historinë e këtij vendi; sjell primaret të cilat pas vendosjes së pluralizmit politik janë në rrafshin e demokracisë, janë arritja më e madhe e demokracisë shqiptare.
Janë fundi i kryetarokracisë, garanci madhore për pengesë ndaj autokracisë dhe presim me shumë përkushtim dhe kënaqësi zbatimin e këtij zotimi solemn në zgjedhjet që vijnë. Kjo do të jetë pas themelimit të pluralizmit politik risia më e madhe që themelohet në demokracinë shqiptare. Ne e mirëpresim datën. Sigurisht që do të diskutojmë dhe jemi për koalicione, por natyrisht parimi ynë bazë nuk ndryshon; jemi për primaret. Një gjë është e sigurt, kandidatët nuk do t’i caktojë Sali Berisha dhe kryesia e PD-së, ata do t’i votojë anëtarësia e kësaj partie”, vijoi Berisha.
Ndërkohë sa i takon debatit të këtij gushti për deklasifikimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, Berisha tha se kushdo që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit nuk duhet të mbajë një post publik.
“PD-ja, siç e dini ju, në vitin 1996 dhe në vitin 2008, ka votuar në Parlament ligjin e lustracionit, sipas të cilit duhet të largoheshin nga detyra si të zgjedhur apo në sistemin e drejtësisë, apo funksione të rëndësishme, pa përjashtim të gjithë ata të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Ky ligj u zbatua në vitin 1996, plotësisht. U amendua në vitin 1997 nga PS, nuk u anulua, por u hoq lustracioni që e zhvlerësoi ligjin ai moment. Në vitin 2008, ne rikthyem të njëjtin ligj. Sepse këtë ligj e kishte njohur Gjykata Kushtetuese, kur e kishte dërguar PS. Ai ligj kishte një miratim edhe ndërkombëtar”, u shpreh Berisha. Panorama.al