QSUT s’ka para për analiza, jep 740 mijë dollarë për mobilim. Luksi i administratës, krevat dopio për zyrat e drejtuesve dhe karrige lëkure origjinale

News24 zbulon dokumentet teknikë të tenderit për mobilimin e zyrave të qendrës spitalore universitare Nënë Tereza në Tiranë.

Tenderi është zhvilluar nga agjencia shtetërore e prokurimeve të përqendruara, për llogari të QSUT dhe vlera totale ka qenë 147,8 milion lekë, rreth 1,2 milionë euro, dhe është fituara nga “RO-AL” SHPK me një ofertë sa gjysma e fondit limit. Detajet e prokurimit janë te frikshme, QSUT ka kërkuar të pajisë zyrat me krevat dopjo dhe sipas dokumenteve ai duhet të jetë i përmasave 200×180 cm, thënë ndryshe 2 metra gjatësi dhe 1,8 metra gjerësi.

Veshje laminati me rezistencë të lartë kundër gërvishtjeve dhe njollave dhe bordet të jenë të veshura me material plastik. Kërkesat e relaksit vazhdojnë me zgarën e krevatit, e cila të jetë prej drurit të staxhionuar. QSUT ka dashur të ekzagjerojë edhe me karriget për drejtuesit, të cilat nuk duhet të jenë dosido, por me tapiceri lëkure origjinale natyrale, me shpinore të lartë dhe rezistente ndaj zjarrit. Karriget duhet të kenë krahë anësore me tub inoksi dhe bazamenti duhet të jetë metalik me 5 degëzime në formë ylli. Në dokumente nuk jepet çmimi për njësi, por një krevat dopjo me zgarë druri të staxhionuar kushton mbi 500 euro, ndërsa një karrige zyre prej lëkure origjinale kushton mbi 1 mijë euro.

Në fakt këto shpenzime nuk po përdoren për te përmirësuar kushtet nëpër spitale ku pacientet janë të detyruar të marrin çarçafë dhe ndërresa nga shtëpia, apo për dhomat e reanimacionit dhe kushtet e mjekëve, por për zyrat e drejtuesve të QSUT. Madje me keq akoma, prej disa muajsh QSUT i urdhëron mjeket që të ulin numrin e analizave për të sëmurët dhe të mos japin rekomandime pasi fondi për koncesionarin nuk mjafton. Mes analizave për të sëmurët dhe karrigeve të lëkurës origjinale dhe krevate dopjo për zyrtarët, QSUT ka zgjedhur që paratë t’i përdorë për këtë të dytën.
Jo pak herë tenderat për mobilim zyrash kanë shkaktuar debate publike për luksin e ekzagjeruar, ndërkohë që bëhet fjalë për para të qytetarëve shqiptarë të cilat shkojnë për komoditetin e shfrenuar të zyrtarëve. Tenderi në fjalë ku drejtuesit e QSUT kërkojnë krevate dopjo për zyrat dhe karrige lëkure origjinale, po zhvillohet në një kohë kur qytetarët po shtrëngojnë fort rripin prej rritjes drastike të çmimeve të ushqimeve dhe naftës. Ndërkohë rritja e fortë e të ardhurave nga taksat që po përfiton qeveria nga shtrenjtimi i çmimeve nuk po shkon për zbutjen e efekteve që po vuajnë qytetarët, por po shkon në drejtim tjetër, për luks zyrtarësh./ BW