News24 do të vazhdojë të denoncojë me forcë korrupsion në çdo nivel të pushtetit në Shqipëri. Në redaksinë e televizionit po përgatiten materiale që denoncojnë me fakte dhe prova të pastra, me zë dhe figurë, korrupsionin në fusha sensitive, ku qytetarët duhet të paguajnë para në dorë zyrtarëve të shtetit.
Pavarësisht presioneve dhe shantazheve të hapura mediat e “Hysenbelliu Group” do të vijojnë të bëjnë detyrën me profesionalizëm duke përcjellë me fakte dhe dokumente realitetin ashtu siç është. Që prej pranverës së këtij viti mediat dhe bizneset e “Hysenbelliu Group” janë vënë në shënjestër të kryeministrit Rama për shkak të vijës editoriale kritike ndaj qeverisë, duke denoncuar më profesionalizëm afera prej qindra miliona euro si ato të rrugëve të florinjta, apo tenderat e luksit për pista garash me makina të Fondi Shqiptar i zhvillimit.
Me të njëjtin profesionalizëm qytetarët do të njihen javën e ardhshme me raste korrupsioni ulëritës që faktohen më prova të pakundërshtueshme me zë dhe me figurë. Fjala e lirë sot ka një çmim të lartë, ku kryeministri urdhëron shembje të tritol të një investimi krejtësisht të rregullt si “Prestige Resort”, pronë e “Hysenbelliu Group.”.