“Qeveria shpenzon për pakicën ndërsa shumica vuajnë”/ Jorida Tabaku: Rritja e pensioneve, një ofendim për pensionistët

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar rritjen minimale të pensioneve  nga qeveria prej vetëm 25 lekësh në ditë, e cila pritet të hyjë në fuqi në muajin Tetor.

Sipas Tabakut, kjo rritje është një ofendim për 750 mijë pensionistët, të cilët përballen çdo ditë me çmime që janë rritur deri në 30% për ushqimet dhe shpenzimet bazë.

Ajo theksoi se ndërkohë që qeveria socialiste mburret me këtë rritje milimetrike, fondet publike po shkojnë për një pakicë të privilegjuar. 

“Çfarë mund të blejë një pensionist me 25 lekë shtesë në ditë, kur çmimet e jetesës janë në rritje të vazhdueshme? Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj pensionistëve tanë, që janë ndër shtresat më të nënpërkrahura të shoqërisë, ” tha Tabaku. Ajo e cilësoi këtë situatë si pasqyrë e keqmenaxhimit të buxhetit nga qeveria, që mbështet pakicën në kurriz të shumicës së popullit.
Tabaku paralajmëroi se familjet shqiptare po varen gjithnjë e më shumë nga të ardhurat e emigrantëve, pasi rritja e çmimeve dhe mungesa e mbështetjes shtetërore po i shtyn të rinjtë të largohen në masë nga vendi. Ajo nënvizoi faktin se 26% e familjeve shqiptare mbijetojnë falë të ardhurave nga jashtë, ndërsa qeveria vijon të mospërfillë nevojat e tyre reale.

“Ne duhet të ndryshojmë këtë situatë dhe të mbështesim shtresat në nevojë, përfshirë pensionistët, të cilët kanë kontribuar për këtë vend dhe meritojnë më shumë se një rritje simbolike që nuk i mbulon as nevojat minimale”, përfundoi Tabaku.