Dhoma e Avokatisë ka dalë kundër vendimit të qeverisë për të miratuar hartën e re gjyqësore. Kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia deklaroi se hapi i tyre final do të jetë Gjykata Kushtetuese.
Haxhia theksoi se ankimimin e tyre do ia paraqesin edhe institucionit ndërkombëtar të Avokatëve në Bashkimin Europian.
“Hapi ynë final do të jetë Gjykata Kushtetuese. Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë do të vërë në dijeni institucionin e rëndësishëm ndërkombëtar brenda BE duke i bërë të qartë anti kushtetuetshmërinë e kësaj hartë.
Unë nuk më mbetet gjë tjetër përveçse të kërkoj nga ju qëndrimin që do mbajnë. Unë jam një votë. Nuk i imponohem këshillit”, tha Maks Haxhia.
Qeveria miratoi sot hartën e re gjyqësore që është kundërshtuar masivisht nga avokatët në vendin tonë për shkak se ul ndjeshëm numrin e gjykatave. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se vënia në zbatim e kësaj harte do të nisë nga muaji shkurt i vitit të ardhshëm.