Qeveria me dy standarde/ “Zonjë njihuni me ligjin”, sulmi mbi Prestige Resort, si e justifikoi kryeministri. Leja jo vetëm nga IKMT, por e firmosur edhe nga Rama

Për cilin ligj flet kryeministri Edi Rama kur kërkon të justifikojë sulmin mbi Prestige Resort është e vështirë të thuhet. Por ato që ekzistojnë, janë konkrete, me vulë e firmë dhe janë dokumentet.

Vetë kryeministri Edi Rama si kryetar i KKT-së ka firmosur për projektin dhe ndërtimin e Prestige Resort. Pra, jo vetëm një legalizim nga IKMT dhe drejtoresha e tij Dallëndyshe Bici, por edhe vetë firma e tij.

Ndërsa sot u pyet nga gazetarja e BIRN për veprimin me dy standarde të qeverisë, Rama tha se duhet të njihemi me ligjin.

Gazetarja e BIRN: Z. kryeministër pse disa ndërtime pa leje, ose në shkelje të lejes si Prestige Resort shemben dhe disa të tjera të ndërtuara në mes të Tiranës, legalizohen ose deklarohen të konfiskuara, a po përdor qeveria dy standarde?

Rama: Zonjë është mirë që kur diskutojmë për çështje që lidhen me ligjin, të njihemi me ligjin, të njihemi me procedurat, t’i mësojmë mirë ato, për të mos bërë spekulime dhe pastaj për të mos ngritur akuza mbi bazë gjysmë të vërtetash. Lexoni ligjin, ligji është shumë i qartë. Masat për ndërtimet që bëhen në shkelje të lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi janë shumë të qarta në ligj dhe janë të përshkallëzuara në ligj. Ka konfiskim, ka shembje, ka masa pjesore, në varësi nga niveli i shkeljes e kështu me radhë. Edhe njëherë do ju lutesha shumë të lexoni ligjin me shumë vëmendje dhe të mos nxirrni konkluzione të bazuara në premisa të gabuara.