Qeveria kërkon me ligj veting për noterët, Manja: Të veprohet si me prokurorët dhe gjyqtarët. Kush skualifikohet!

ARISTIR LUMEZI/ Pas prokurorëve dhe gjyqtarëve, do të jenë noterët ata që do të kalojnë në veting.

Ministria e Drejtësisë ka propozuar kritere të forta për të skanuar integritetin e noterëve, që nga arsimimi, procedurat që kanë ndjekur e deri te kontaktet me botën e krimit të organizuar apo personat e dënuar për vepra të renda penale.

Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin, i cili do të dërgohet në Kuvend për diskutim dhe parashikon kritere të reja për pranimet në sistemin e noterisë, si dhe nxjerrjen jashtë këtij sistemi të noterëve që gjenden në kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar apo me të dënuar për vepra të rënda.

“Në kriteret e reja që përcakton ligji, pjesë e shërbimit të noterisë s’mund të jenë, s’mund të bëhen dhe nuk do jenë as noterët që janë në listën e personave të shpallur sipas ligjit më fuqi në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Pas pikës 8, të nenit 25, shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:

“Në rast se noteri ka kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar ose në kryerjen e veprave të rënda penale, ministri i Drejtësisë urdhëron inspektime të rregullta në vend për të gjitha aktet, regjistrin e veprimtarisë noteriale, si dhe çdo dokumentacion tjetër të aktivitetit noterial jo më pak se 1 (një) herë në vit. Noteri i nënshtrohet inspektimit me intervale të rregullta, sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij neni, jo më vonë se 2 (dy) vjet nga data e kontaktit të fundit të papërshtatshëm.”

DRAFTI 

Sipas projektligjit të miratuar dje në mbledhjen e qeverisë, është ministri i Drejtësisë, i cili vendos se kur një kandidat kalon procesin e verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë profesionale. “Ministri i Drejtësisë vendos që i interesuari nuk kalon procesin e verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë profesionale kur:

a) subjekti i verifikimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar ose në kryerjen e veprave të rënda penale;

b) ka shfaqur sjellje të rënda të papërshtatshme etike dhe morale që cenojnë besimin e publikut në sistemin noterial; ose

c) ka ndonjë shkak tjetër përjashtues, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi”, thuhet në projektligj. Gjithashtu, në draft përcaktohen se cilat do të konsiderohen shkelje disiplinore të noterit.

“Noteri kryen shkelje disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit, kur, në veçanti, por pa u kufizuar në to, kryen veprimet, mosveprimet ose sjelljet e mëposhtme:

a) Përdorimi i paligjshëm i statusit të noterit, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët;

b) Përfitimi i padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e shfrytëzimit të pozicionit të noterit, edhe në rastin kur formalizohen me një veprim juridik;

c) Raste të tjera të sjelljes së rëndë të papërshtatshme etike dhe morale që cenon besimin e publikut në sistemin noterial, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”. 

Deklarata

Sipas ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, “ky ligj përcakton kritere të reja për futjen në profesionin e noterit dhe që kanë të bëjnë me mos përfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje apo kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar, ose persona të dënuar për vepra penale të rënda. E këtyre kritereve të reja do i nënshtrohen edhe noterët që janë pjesë e shërbimit noterial përmes inspektimeve proaktive që do ushtrojë Ministria e Drejtësisë.

Në kriteret e reja që përcakton ligji, pjesë e shërbimit të noterisë s’mund të jenë, s’mund të bëhen dhe nuk do jenë as noterët që janë në listën e personave të shpallur sipas ligjit më fuqi në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në këtë ligj përcaktohen kritere të reja për pranimin në këtë profesion si janë kriteret e pranimit për kandidatët për gjyqtarë e prokurorë në shkollën e magjistraturës. Po ashtu, ligji i ri përcakton të njëjtat kritere për heqjen e licencës apo masave disiplinore si për gjyqtarët dhe prokurorët. Është veting për sistemin noterial në Shqipëri. Ligji për noterinë që është i vitit 2018 ka përcaktuar dhe mekanizmat e filtrimit. Është Ministria e Drejtësisë që përmes inspektimeve të planifikuara dhe hetimeve proaktive do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi”, tha Manja.

Marrë nga Panorama.com.al