Partia Demokratike ka reaguar sërish pas konferencës së parë ndërqeveritare në Bruksel për hapjen e negociatave ku qeveria nuk ftoi asnjë përfaqësues të opozitës.
Sekretarja për Organizatat Partnere, Megi Balliu tha në një konferencë nga selia blu se që nga konferenca e Londrës shqiptarët kanë shkuar bashkë aty ku është folur dhe vendosur për fatin e përbashkët.
“Që nga Konferenca e Londrës, në vitin 1913, dhe Konferenca e Paqes së Parisit, më 1919, shqiptarët kanë shkuar së bashku aty ku është folur dhe vendosur për fatin e përbashkët. Pavarësisht krahinave, feve dhe ideve, krerët e këtij vendi kanë shkuar krah për krah, qoftë edhe për sytë e botës.
Kjo traditë shembullore e unitetit dhe tolerancës u zhbë nga Enver Hoxha në vitin 1944. U kthye, pas katër dekadash kur komunizmi theu qafën. Në 30 vitet pas komuniste Partia Demokratike mund të krenohet, me të drejtë, me rekordin e saj të unitetit dhe përfaqësimit.
Tri fetë kryesore të shqiptarit, përfaqësoheshin në trekëndëshin Parlament – Qeveri – Presidencë. Përkatësitë krahinore respektoheshin gjithashtu. Opozita socialiste ka qenë në të gjitha takimet me rëndësi kombëtare jashtë në krah të delegacioneve të qeverisë Berisha”, tha ajo.
Balliu nxori fotot që sipas saj janë dy shembuj të pakontestueshëm kur Berisha në krye të qeverië ka ftuar përfaqësues të opozitës.
“Dy shembuj të pakontestueshëm dhe publike janë nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe anëtarësimi në NATO. Në delegacionet e kryeministrit Berisha ka patur përfaqësues të opozitës në të dy rastet, siç do ta shihni në fotot që po u tregoj këtu.
Edi Rama duke anashkaluar opozitën, duke shpërfillur unitetin dhe përfaqësimin në një moment me valencë kombëtare, e ktheu Shqipërinë në kohën e komunizmit. Ky është Edi Rama. Ne nuk kemi nevojë të lodhemi për ta shpjeguar, sepse ai nuk lodhet së qeni i ngjashëm me modelin e tij shpirtëror.
Partia Demokratike ndjen detyrimin publik të përballë qeverinë aktuale me forcën e fakteve dhe modelet më të mira kombëtare. Sigurisht, ne krenohemi që jemi pjesë e një modeli që ka parë dhe sheh nga uniteti kombëtar dhe përfaqësimi”, përmbyllet deklarata.