Të burgosurve në Shqipëri nuk po iu jepen leje shpërblyese, me argumentin absurd se vijojnë pasojat e pandemisë. Avokati i Popullit dhe organizatat e shoqërisë civile raportojnë probleme serioze për kujdesin shëndetësor të personave të izoluar. Vetëm në burgun e Shënkollit autoritetet pranojnë se po mbajnë 404 persona, kur kanë vetëm 200 shtretër kapacitet.
Esiona Konomi
Është e premte. Sabina (ky nuk është emri i saj i vërtetë), ia ka ngritur volumin celularit në maksimum dhe nuk i largohet shumë. Është mesditë dhe fëmija i saj, 5-vjeçar kërkon me insistim telefonin për të luajtur.
Ajo i ngre volumin, sepse po afrohet ora 12 dhe pret thirrjen e të shoqit nga burgu. Ia heq fëmijës celularin nga dora dhe e vë në parvaz të dritares.
“Nuk mund ta humbas. Nëse nuk i përgjigjem, nuk e marr dot pas. Vetëm ai ka të drejtë të më marrë. Vetëm një herë mund t’i bjerë.”
Dëgjohet thirrja e Skype-it në celular. Vogëlushi vrapon ta hapë. E bën këtë përpara së ëmës.
“Nuk paske valë. Nuk të shikoj mirë”, – ankohet Sabina.
Një herë në javë mund të zhvillojë një bisedë të autorizuar me video me të shoqin, që vuan një dënim në burgun e Fierit për transportim kanabisi. Meqë burgu është larg vendit ku jeton, javët, që nuk shkon ta vizitojë, i zëvendëson me lidhje në Skype të administruara nga institucioni.
Bisedat me video nga të burgosurit bëhen vetëm me të afërm, lidhja me të cilët duhet vërtetuar me dokumente të Gjendjes Civile dhe nuk mund të thërrasësh askënd jashtë kësaj liste.
“Kjo është forma e vetme që të flasim bashkë”, – thotë i burgosuri, i cili përmes gruas së tij ka denoncuar tek INA MEDIA një “padrejtësi”, siç e prezanton ai.
“Kur rri këtu, ke kohë për të gjitha, – thotë Krenari, i cili ka katër vjet që vuan dënimin. – E kam lexuar disa herë Kodin Penal dhe Ligjin për të Drejtat e të Burgosurve. E di nga ato lexime se, kush ka bërë mbi treçerekun e dënimit dhe ka pasur sjellje të mirë në burg, ka të drejtë të marrë 20 ditë leje në vit për të dalë jashtë.”
Të thotë se ai vetë në burg ka pasur sjellje shembullore.
“Zero incidente!” Por, tani që i përmbush kushtet (e ka kryer treçerekun e dënimit) “leje nuk japin më; i mbyllën që me sebepin e pandemisë, dhe pastaj hiç.”
Mohimi i lejeve shpërblyese
Ministria e Drejtësisë konfirmon se lejet shpërblyese janë ndërprerë, që në nisje të pandemisë.
“Një urdhër i marsit të vitit 2020 i ndaloi të gjitha lejet për shkak të pandemisë”, – tha Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Një muaj më vonë, vizitat u ndaluan për një periudhë të pacaktuar dhe ngelën në fuqi edhe sot, edhe pse Komiteti Teknik i Ekspertëve në vendin tonë hoqi çdo masë kufizuese në prill të vitit të shkuar.
Piktura murale, të realizuara nga të burgosurit në Kavajë
Foto: Drejtoria e Burgjeve
Në Ligjin për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Paraburgosurve përcaktohet se, të dënuarve, që respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, që kanë sjellje të mirë dhe që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, drejtori i institucionit mund t’iu japë deri në 20 ditë leje në vit, për të dalë gjatë kohës së mbetur, e cila ligjërisht quhet “leje shpërblyese.”
Kjo leje iu jepet personave të dënuar me deri në tre vjet burg, pasi të kenë vuajtur jo më pak se një të katërtën e dënimit; të dënuarve me tre deri në dhjetë vjet burg, të cilët duhet të kenë kryer gjysmën e dënimit, ndërsa personat e dënuar me mbi dhjetë vjet burg mund të marrin leje, pasi te kenë kryer dy të tretat e dënimit.
“Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues”, – thotë ligji dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës. Por, mohimi i shpërblimit i ka barazuar të gjithë të dënuarit.
“Si ata që janë sjellë mirë, si puna ime, edhe ata që janë rrahur apo kanë bërë sherre e shkelje, sot janë barazim. Të dyja kategoritë në burg ngelen”, – thotë Krenari.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se, për Organizatën Botërore të Shëndetësisë emergjenca globale ka përfunduar vetëm këtë 5 maj. Qeveria shqiptare e ka shpallur të mbyllur emergjencën dy javë më herët se OBSh-ja.
Lejet shpërblyese u ndërprenë si masë kufizuese për Covid-19, por, kur në vend nuk aplikohet më asnjë masë mbrojtëse, detyruese, ngel ende në fuqi prej më shumë se një viti mohimi i daljes së pjesshme nga burgu i të dënuarve.
Sipas specialistëve, mohimi i lejeve shpërblyese, përtej shkeljes së një të drejte ligjore, nuk nxit të dënuarit të kenë sjellje të mirë në burg, e vonon dhe e ngadalëson procesin rehabilitues dhe integrues të këtyre personave në shoqëri.
“Ndihmon në ruajtjen e sjelljes së mirë brenda regjimit të brendshëm, – thotë Manolita Hida, një psikologe, e cila i ka kushtuar vëmendje trajtimit të të burgosurve. – Kanë marrëdhënie më të mira me bashkëvuajtësit, nuk i nxit të mbajnë sende të ndaluara (telefona, mjete prerëse, alkool, etj.,), ruajnë marrëdhëniet e mira me familjarët dhe takimet periodike me ta. Gjithashtu, të dënuarit duhet të ruajnë raporte korrekte edhe me stafin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (I.E.V.P., burg), të kujdesen për higjienën personale dhe të ambientit rreth tyre, të angazhohen në aktivitetet social-kulturore brenda I.E.V.P.-së. Pra, shërben si instrument, i cili e mban të dënuarin larg shkeljeve disiplinore dhe e angazhon në jetën sociale brenda. Të dënuarit me të tilla karakteristika në masë të madhe ruajnë një shëndet të mirë psikik.”
“Me humbjen e mundësisë për të aksesuar lejen shpërblyese, një i dënuar ka më pak motive për t`u angazhuar në sjellje pozitive dhe konform rregullores, pasi privohet nga ajo grimcë lirie, të cilën ligji ia ka siguruar, por që aktualisht nuk i jepet. Gjendja psikike mund të rëndohet si rezultat i pritshmërive, të cilat krijohen me pritjen e lejes dhe pasiguria në përfitimin e saj, si dhe ndalimi për një periudhë të gjatë mund t’i çojnë drejt paqëndrueshmërisë emocionale dhe ngurtësimit të marrëdhënieve me të afërmit jashtë burgut”, – shton psikologia Hida.
Avokati i Popullit ka marrë denoncime nga të burgosurit dhe është vënë në kontakt me Ministrinë e Drejtësisë, por ndërhyrja e tyre nuk ka dhënë ende një efekt.
Mosdhënia e lejeve për të dënuarit, që i plotësojnë kriteret ligjore, “është cenim i kësaj të drejte dhe shkelje e ligjit”, – thotë Avokati i Popullit.
Ky institucion vlerëson se, vendosja e marrëdhënieve graduale me familjen dhe shoqërinë e lehtëson integrimin e tyre dhe për pasojë do të sjellë si rezultat më pak raste të përsëritura në krime pas daljes së tyre nga burgu, marrëdhënie më të mira me familjet dhe më pak shqetësime për komunitetin.
“Duke e parë në këtë kuadër, ne çmojmë se, aplikimi i kësaj të drejte duhet të vlerësohet dhe të zbatohet për këtë kategori personash, që i plotësojnë kriteret ligjore, duke respektuar normalisht të gjitha procedurat e parashikuara në ligj”, – tha institucioni i Avokatit të Popullit për INA MEDIA-n.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit kryen në mënyrë të vazhdueshme monitorime në burgje, për të kontrolluar kushtet dhe respektimin e të drejtave të të dënuarve.
Ardita Kolmarku thotë për INA MEDIA-n se mosdhënia e lejeve shpërblyese është njëra nga ankesat që kanë marrë monitoruesit e Komitetit të Helsinkit.
“Mohimi i kësaj të drejte lidhet me rehabilitimin dhe ri-integrimin e të burgosurve në shoqëri”, – vijon Komiteti i Helsinkit.
Kjo organizatë i tha INA MEDIA-s se burgjet duhet të kenë kujdes të veçantë për të vendosur komunikim mes të burgosurve dhe familjarëve, edhe atëherë kur mungon vullneti apo mundësia e ndonjërës prej këtyre dy palëve, e jo më të bëhet pengesë për këtë shkëmbim.
Drejtoria e Burgjeve thotë se do të kërkojë korrigjimin e kësaj praktike, por pa dhënë detaje se kur do ta bëjë këtë e as duke marrë ndonjë përgjegjësi për atë çfarë ndodhi këta dy vjet.
“DPB do të kërkojë shfuqizimin e urdhrit”, – thuhet në deklaratën e bërë për INA MEDIA-n.
Pandemi vetëm për disa…
Edhe pse e ka konsideruar të rrezikshme situatën epidemiologjike në vend, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vepruar me dy standarde. Ajo ka vijuar të japë leje të veçanta për të burgosurit në rastet e fatkeqësive familjare. Pra, një i burgosur është lejuar të marrë pjesë në një funeral, ku ka grumbullim të lartë njerëzish, por nuk është lejuar që të përfitojë lejen tjetër, atë shpërblyese, sipas së cilës mund të rrijë disa ditë vetëm me familjen e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaron se nuk ka filluar që t`i aplikojë lejet shpërblyese për të dënuarit, që nga periudha e pandemisë Covid-19, “për arsye të nevojës për vlerësimin e riskut për sigurinë publike, për muajt janar-maj 2023 dhe me përjashtim të 2 rasteve, nuk janë administruar të tjera kërkesa për leje shpërblyese, ndërsa për periudhën janar-maj 2023 janë dhënë rregullisht me shoqërim 40 leje të veçanta”.
Avokati Jordan Daci e quan absurd këtë interpretim ligji nga ana e Drejtorisë së Burgjeve:
“Pandemia ka përfunduar, edhe sipas autoriteteve shqiptare, edhe sipas OBSH. Është një fakt, që nuk ekziston më. Çdo kufizim në emër të saj është abuziv dhe absurd. Autoritetet e burgjeve janë, jo thjesht në shkelje të ligjit dhe të drejtave të të burgosurve, por këto veprime shkojnë deri në abuzim me detyrën nga ana e zyrtarëve përgjegjës për nxjerrjen e akteve”.
Sabina dhe Krenari presin që Drejtoria e Burgjeve ta mbajë fjalën dhe ta shfuqizojë urdhrin ndalues.
“Të paktën të kishim festuar 5-vjetorin e djalit bashkë në shtëpi, – thotë gruaja, teksa na përcjell. – Në asnjë ditëlindje nuk kemi qenë dot të tre.”
Një krevat për dy persona
Të burgosurit po përballen edhe me probleme në fushën e kujdesit shëndetësor. Një situatë alarmante u denoncua pranë INA MEDIA-s nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Ata kanë monitoruar edhe dy godinat e burgut të Shënkollit në Lezhë, ku janë akomoduar të dënuarit me mjekim të detyrueshëm.
“Në ditën e monitorimit (përkon me muajin mars 2023), në institucion ishin të akomoduar 230 pacientë me masë mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” dhe 174 shtetas me masë “Shtrim të përkohshëm në një spital psikiatrik”, ndërkohë që kapaciteti zyrtar i institucionit është 186 persona. Duke marrë në konsideratë kapacitetin zyrtar, akomodues të këtij institucioni në raport me numrin e shtetasve të akomoduar, konstatohet me shqetësim se ky institucion ndodhej në kushtet e një mbipopullimi shqetësues”, tha Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në hapjen e burgut të Shënkollit
Foto: Ministria e Drejtësisë
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në përgjigje të një kërkese për informacion pranoi faktin se ka dyfishin e të dënuarve në krahasim me kapacitetin e godinës.
“Është e vërtetë dhe aktualisht në IEVP, Lezhë në godinat Nr. 4 dhe Nr. 5 janë të akomoduar rreth 404 shtetas (burra) me vendim gjykate me masë mjekësore “Mjekim i detyruar”. Ky institucion ka kapacitetin 200 shtretër.”
Drejtoria qendrore thotë se kjo është “një fazë tranzitore dhe e përkohshme” dhe e hedh topin pranë Ministrisë së Shëndetësisë, që, sipas një ligji të miratuar 3 vjet më parë, duhet të marrë nën kontroll dhe trajtim këtë kategori të dënuarish.
“Është përcaktuar qartë se, ndjekja, trajtimi apo akomodimi i shtetasve me masë mjekësore duhet të kryhet në institucionet e kujdesit shëndetësor (pra, ambiente me infrastrukturë të mirëfilltë spitalore), ku administrimi i këtyre institucioneve do të jetë në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e jo më në institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë”, – thanë Burgjet.
Ministria e Shëndetësisë u pyet se kur do të marrë ajo nën përgjegjësi për të trajtuar, por në një përgjigje me shkrim ata nuk dhanë një afat, por sqaruan se ministria “ka aplikuar nëpërmjet Agjencisë së Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), për mbështetje financiare në kuadër të IPA III për ngritjen e këtij institucioni, duke e konsideruar si një nga projektet prioritare për sektorin e shëndetësisë.”
Avokati i Popullit, nga ana tjetër, veç mungesës së mjekëve dhe barnave, thotë se trajtimi shëndetësor i të burgosurve bëhet i vështirë dhe lë vend për abuzime prej shkrimit të paqartë të mjekëve.
“Pas këqyrjes ndër vite të dhjetëra kartelave klinike të të burgosurve, është ngritur shqetësimi lidhur me shënimet jo të qarta dhe të pakuptueshme të mjekëve. Shkrimi (kaligrafia) i pakuptueshëm mund të çojë në keqkuptime të stafit shëndetësor. Leximi e më tej zbatimi i gabuar i shënimeve mund të sjellë si pasojë mjekimin e gabuar apo dhënien e dozës së gabuar, duke rrezikuar në mënyrë të pajustifikuar shëndetin dhe jetën e pacientit”, – thotë Avokati i Popullit.
Ky institucion thekson se dokumentet e kartelës klinike të pacientit nuk janë ekskluzivitet i mjekut që i përpilon ato. Shënimet duhet të jenë të lexueshme nga çdo mjek, staf shëndetësor, autoritet që ka kompetencë të njihet me të dhënat e pacientit, familjar, si dhe nga vetë pacienti./INA-MEDIA/