Qendra kulturore “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Kavajës do ti nënshtrohet së shpejti një ndërhyrje rrënjësore për ta shndërruar në një sallë bashkëkohore kinemaje 3D, por që do të shërbejë edhe për shfaqje teatrale dhe aktivitete kulturore, ndersa holli i godinës do të shërbejë për ekspozita, sallë konferencash etj.
Si godinë objekti është në varësi të Bashkisë Kavajë, dhe të ardhurat e mbledhura do përdoren për mirëmbajtjen e godinës, apo si financim për zhvillimin e aktiviteteve të reja.
E gjitha kjo falë përzgjedhjes nga Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri si një nga tetë projekte fituese në total.
Nga procedura e tenderimit aplikuan 5 operatore. Ndërkohë që Bashkia Kavajë nënshkroi një kontratën me firmën fituese për zbatimin e projektit për “Rikualifikim i Qendrës Kulturore Aleksandër Moisiu” nga skema e granteve të PZHRSH-së në mbështetje të zonave të prekura nga tërmeti, financuar nga donatorët Swiss Development Cooperation (SDC) dhe Austrian Development Agency (ADA).
Projekti arrin një vlerë prej 42,999,940 Lekë, punimet kanë nisur më datë 08 Qershor 2021.
E gjithë kjo ndodhi në kuadër të thirrjes së hapur në mbështetje të Skemës së Granteve për zonat e prekura nga tërmeti ku Bashkia Kavajë aplikoi me projektin Rikualifikim i Qendrës Kulturore Aleksandër Moisiu, për të mbajtur të njëjtën strukturë të godinës por me funksion tanimë si Kino-teatër.