Kompania farmaceutike amerikane Pfizer njoftoi të hënën se vaksina e saj eksperimentale kundër COVID-19-s ka dëshmuar një nivel efektiviteti me të lartë se 90 për qind. Ky zhvillim shihet si një fitore e madhe në luftën kundër një pandemie që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se një milion njerëzve në mbarë botën, krahas dëmtimit të ekonomisë e shkatërrimit të jetës së përditshme.
Nëse merret autorizimi, numri i dozave do të jetë fillimisht i kufizuar. Megjithatë ende nuk dihet se për sa kohë do të sigurojë mbrojtje vaksina. Sidoqoftë lajmi është shpresëdhënës se edhe vaksinat e tjera kundër COVID-19 për të cilat po punohet, mund të jenë gjithashtu efektive.
“Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin”, tha Albert Bourla, shefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer. “Ne mbërritëm në këtë moment të rëndësishëm në programin tonë të zhvillimit të vaksinave në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të, për shkak të nivele rekord të infeksioneve të reja, spitaleve që po tejkalojnë kapacitetet për shkak të numrit të pacientëve si dhe ekonomisë që po përpiqet të rihapet”.
Pfizer-i pritet të kërkojë autorizim nga autoritetet amerikane për përdorim emergjent të vaksinës për grupmoshat nga 16 deri 85 vjeç. Që të miratohet kërkesa, do të duhen dy muaj të dhëna të sigurta nga rreth gjysma e 44 mijë pjesëmarrësve në një studim, të dhëna që pritet të dalin në fund të këtij muaji.
Pfizer dhe BioNTech kanë lidhur një kontratë prej 1.95 miliardë dollarësh me qeverinë amerikane për shpërndarjen e 100 milionë dozave të vaksinës, duke nisur nga ky vit. Ato kanë arritur gjithashtu marrëveshje me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Japoninë.
Për të kursyer kohë, kompanitë kishin nisur me prodhimin e vaksinës përpara se të mësonin se ajo do të ishte efektive. Ato presin të prodhojnë këtë vit deri në 50 milionë doza, të mjaftueshme për të mbrojtur 25 milionë njerëz.
Kompania Pfizer tha se pret të prodhojë deri në 1.3 miliardë doza të vaksinës në vitin 2021.