Sot është trajtuar çështja e punëtorëve të huaj, filipinas në Shqipëri, dhe nëse ato mund të zgjidhin nevojat që ka biznesi, në kushtet kur ka një largim të shqiptarëve, ose kur këta të fundit, nuk pranojnë punësimin në sektorë të caktuar. Dorjan Teliti tha se zgjidhja nuk bëhet as duke hequr qytetarët nga ndihma ekonomike dhe ti detyrojnë të punojnë, pasi ka një diferencë shumë të madhe.
“Nëse burrë e grua marrin sot ndihmë ekonomike ato përfitojnë 65-70 mijë lekë të vjetra në muaj. Ndërkohë po të punonin do të merrnin bashkarisht 1 mln lekë në muaj. Tani ndihma ekonomike është tregues i varfërisë, këta njerëz që janë sot në ndihmë ekonomike duhej të ishin trajnuar, të kualifikoheshin, në mënyrë që të bëheshin të aftë për të punuar dhe të dilnin nga varfëria”, tha Teliti.
Ai shtoi se janë paguar 3.6 mld euro, ndërkohë që kualifikimin kanë shkuar 1.2 mld euro, pra 1/3 e shumës. Teliti tha se edhe filipinasit mes Tiranës apo Berlinit, Romës apo Parisit do të zgjedhin kryeqytetet europiane. “Edhe këta punëtorë të huaj, përfshi filipinas, kur vijnë në Shqipëri duhen parë kushtet, sa paguhen, sa janë kostot e jetesës, sa mund të kursejnë”, tha ai.