Në përmbyllje të takimit me mësues për arsimin, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, u shpreh se gjithçka me të cilën përballet sot vendi ynë, e ka bazën tek dhunimi i votës së lirë.
Ai ka bërë thirrje që të bëhet gjithçka që është e mundur që të kthehet në votën e lirë pa të cilën theksoi se nuk ka të ardhme.
“Ju falenderoj për mendimet, idetë pikëpamjet, që paraqitët sot këtu. Është e vërtetë shumë e hidhur që zëri i mësuesve, i misionarëve të dijes mungon në hapësirën zyrtare komunikative të vendit dhe kjo është një fatkeqësi serioze për vendin për shoqërinë dhe kombin.
Para se të ndalem në përgjigjet për problemet që shtruat, do më lejoni të shtroj dhe jua them në mënyrë absolute jo nga pozicion partiak, por kësaj radhe strikt nga pozicioni qytetar dhe përgjegjësi qytetare, se alfa për ço mësues e qytetar në mënyrë që të ndryshojmë këtë realitet, është realizimi i faktit tragjik se ne qeverisemi sot nga një grup më së paku hajnash të cilët përdorin ndaj qytetarëve, mësuesve, mjekëve, inxhinierëve fermerëve, fëmijëve studentëve, dy armë: vjedhjen e mashtrimin.
Gjithçka bën kjo qeveri është mashtrim me propagandë dhe vjedhja me firmë.
Duke përdorur këto dy armë, qeveria ka vendosur monizmin e plotë.
Çdo mësues ndihmon dhe mund të ndihmojë nxënësit, të ardhmen e tyre duke lënë krahas lëndës që jep të merret me të gjithë potencialin e vet në mënyrë që në këtë vend të triumfojë vota e lirë. Gjithçka që ne mund të numërojmë origjinën e ka tek dhunimi i votës së lirë, sepse ajo e bën të pashpresë shoqërinë, e pengon ndryshimin. Në historinë e demokracisë qeveritë kanë platforma të ndryshme, zgjedhësi u presin faturën sipas mendimeve e vlerësimeve që kanë. Kjo kësaj qeverie që ka vendosur bandat, paratë e drogës, patronazhistët, votën e ka formalizuar. Edhe në diktaturë votonim çdo katër vite.
A është sot një mision suprem angazhimi i mësuesve për rikthimin e këtyre vlerave? Unë besoj që ky është misioni më i rëndësishëm, sepse ne realizojmë gjërat. I kemi gjërat e qarta dhe shohim shkaqet e pasojat. Një pjesë e madhe e shqiptarëve janë në indiferencë.
Thirrja ime është të bëjmë gjithçka të dalim nga ky regjim e të rikthejmë votën. Pa të nuk kemi të ardhme. Nëse nuk votojmë si qytetarë të lirë, pasuritë natyrore na kthehen në mallkim. E provuam çdo të thotë të jetosh pa të ”, u shpreh Berisha.